Komiteti Olimpik i Kosovës ka reaguar ashpër pas përleshjes masive në ndeshjen mes Prizrenit dhe Pejës.

Në fund të ndeshjes së djeshme, basketbollistët dhe stafi i të dyja skuadrave u përfshinë në një incident.

Pas kësaj ngjarjeje, KOK-u ka shprehur shqetësimin e vet në lidhje me këto ngjarje.

Postimi i plotë i KOK-ut në “Facebook”:

Reagim i KOK-ut për dhunën e shfaqur në basketboll

Komiteti Olimpik i Kosovës ka ndjekur me shqetësim të madh dhunën në ndeshjen e basketbollit ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Pejës, e vlefshme për gjysmëfinalen e Play Off-it.

KOK dënon ashpër dhunën e shfaqur, e cila më së paku i është dashur basketbollit dhe sportit në përgjithësi.

Për KOK-un, ajo që ndodhi mbrëmë në Prizren dhe javë më parë në ndeshje të futbollit, është e papranueshme dhe e patolerueshme.

KOK kërkon nga organet përgjegjëse të veprojnë konform rregulloreve të tyre, derisa inkurajon Këshillin Kombëtar për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport, të marrë masat e duhura ndaj atyre që shkaktuan incidentin“.