Me fitoren e mbrëmshme, skuadra nën-kampione e Superligës së Kosovës Drita, ka arritur të sigurojë kualifikimin tutje për në raundin e dytë të UEFA Conference League, ku atje e pret gjiganti holandez Feynoord.

Drita siguroi fitore në dy ndeshje kundër Decic, atë si vendas me rezultat 2:1 në stadiumin e qytetit të Gjilanit, dhe si mysafire në stadiumin “Podgorica City” me rezultat minimal 1:0.

Në anën tjetër, ëndrra evropiane e Llapit përfundoi mbrëmë, ku skuadra e Tahir Batatinës u eliminua nga skuadra e Shkupit me rezultat të përgjithshëm 3:1.

Në ndeshjen e parë në “National Arena Teodor Proeski”, Llapi u mposht si mysafirë me rezultat 2:0, kurse mbrëmë në stadiumin “Fadil Vokrri” nuk arriti të sigurojë më shumë se një barazim, ku pas 90’ minutave lojë rezultati ishte 1:1.

Kurse, kampioni i Superligës së Kosovës Prishtina, pasi që u mposht në raundin kualifikues nga Ferencvarosi në kuadër të Ligës së Kampionëve, do të luaj tani në Conference League, ku do të përballet me skuadrën nga Uellsi, Connah’s Quay Nomads.

Përveç dy skuadrave kosovare, në raundin e dytë do të ketë edhe ekipe nga Superliga e Shqipërisë, ku pjesëmarrëse do të jenë Vllaznia, Laçi, Teuta dhe Partizani.

Ndeshja e parë

20 korrik18:00 Prishtina – Connah’s Quay Nomads (Stadiumi Fadil Vokrri)

22 korrik21:00 Drita – Feyenoord (Stadiumi i qytetit të Gjilanit)

Ndeshja e kthimit

29 korrik18:00 Connah’s Quay Nomads – Prishtina (Stadiumi Park Avenue-Aberystwyth)

29 korrik20:00 Feyenoord – Drita (Stadiumi De Kuip-Roterdam)