The Kosovo national football team in action during the training session prior to the EURO Qualification, EM, Europameisterschaft matches with Kosovo in Pilsen, Czech Republic, November 13, 2019. CTKxPhoto/MiroslavxChaloupka CTKPhotoP201911131041001 PUBLICATIONxINxGERxSUIxAUTxONLY cha27k

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka zhvilluar stërvitjen e dytë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në prag të ndeshjeve të ardhshme kualifikuese për botërorin “Katari 2022”. Edhe në stërvitjen e dytë të “Dardanëve” kishte mungesa.

Kosova të hënën është grumbulluar për ndeshjet kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë. Në stërvitjen e së martës pasdite munguan Lirim Kastrati dhe Bersant Celina. Për Celinën është thënë se do t’i bashkohet Përfaqësueses në stërvitjen e së mërkurës.

Po të mërkurën do të mësohet nëse Kastrati do të jetë i gatshëm për lojë, për shkak të një lëndimi.

Të martën janë bashkuar në stërvitje Milot Rashica, Florent Hadërgjonaj dhe Herolind Shala. Të tre futbollistët munguan në stërvitjen e mbajtur të hënën mbrëma.

Kosova luan të shtunën kundër Suedisë në udhëtim, ndërsa më 12 tetor luan në Prishtinë me Gjeorgjinë.

Ndryshe nga stërvitja e parë që u zhvillua me intensitet të ulët, puna të martën ishte me intensitet dukshëm më të lartë.

Stërvitja nisi me nxehje, ku futbollistët u shfaqën me humor të mirë. Më pas vazhdoi me një fjalim të zakonshëm të përzgjedhësit Bernard Chllandes në mes të fushës. Pasi Challandesi e mbaroi fjalimin, futbollistët vazhduan punën me ndihmësit, me përkushtim dhe me ritëm më të lartë.

Te Kosova i kanë vlerësuar të vështira dy ndeshjet e këtij muaji. Kosova e ka mposhtur Gjeorgjinë në udhëtim muajin e shkuar me rezultat 1:0, ndërsa ka humbur nga Suedia në Prishtinë me rezultat të thellë 3:0, në mars.

Te “Dardanët” kanë premtuar angazhim dhe sinjalet nga stërvitja ishin pozitive. Stërvitje në Kosovë, Përfaqësuesja do të mbajë edhe të mërkurën. Ndeshja me Suedinë luhet në Solna, kurse stadiumi pritet të jetë i mbushur me 50 mijë shikues.

Kosova është në vendin e katërt të Grupit B me katër pikë nga pesë ndeshje të zhvilluara.