Mund të vëreni ndryshime të vogla në disa prej ndeshjeve të Premier Leagues gjatë javëve të ardhshme, raporton BBC.
Të shtunën shënohet fillimi i Muajit të Shenjtë të Ramazanit për myslimanët nëpër botë, që përfundon me festimin e Bajramit më 2 maj.
Agjërimi në Britani të Madhe për Ramazanin e këtij viti fillon mes orës 4 dhe 5 të mëngjesit me kohë lokale dhe përfundon mes 19:30 dhe 20:30, gjatë muajit.
Kjo nënkupton se nga 52 ndeshje të Premier Leagues që pritet të mbahen gjatë Ramazanit këtë vit, nëntë prej tyre janë në mbrëmje, gjatë të cilave lojtarëve do t’u duhet pushim për të bërë iftar gjatë ndeshjes.
Stinorin e kaluar ndeshja mes Leicester Cityt dhe Crystal Palacet në “King Power Stadium” ishte ndaluar për disa minuta për t’i lejuar mbrojtësit të Leicesterit, Wesley Fofana dhe mesfushorit të Crystalit, Cheikhou Kouyate për të bërë iftar.
Stinorin e kaluar kishte një marrëveshje joformale mes kapitenëve për të lejuar pushimin për çdo lojtarë myslimanë që ka nevojë për pushim për të bërë iftar.
Por këtë stinor, ndonëse nuk ka një udhëzim zyrtar që u është thënë ekipeve të elitës pasi nuk prek secilën ndeshje, kapitenët sërish mund të bëjnë kërkesë për një pushim për të pirë në një moment të caktuar gjatë ndeshjes.
Me të perënduar dielli, do t’u lejohet lojtarëve që agjërojnë që të ndërpresin agjërimin me ndonjë pije e të rikthehen sërish në lojë.
Në Premier League ka disa lojtarë të besimit myslimanë, ndër më të njohurit janë Mohamed Salah i Liverpoolit, Paul Pogba i Manchester Unitedit e N’Golo Kante i Chelseat.