Leart Paqarada ka pasur telashe me trajnerin e skuadrës së St. Paulit, Fabian Hurzeler, të enjten gjatë ditës.
Në prag të përfundimit të stërvitjes, kanë qenë tri skuadra që kanë luajtur mes vete në fushë të vogël.
Por, ishte trajneri Hurzeler i cili e ndërpreu në gjysmë një ndeshje, pasi sipas tij, nuk po mund ta shihte performancën e ekipit të kaltër.
Në këtë skuadër ishte Leart Paqarada, futbollisti i Kosovës, që në verë do t’i bashkohet Koelnit të Bundesligës gjermane.
Paqarada ishte ndarë i pakënaqur me ndarjen e skuadrave, sa i përket gjatësisë së futbollistëve.
“Pesë lojtarë janë nën 170 centimetra dhe po mbetesh i befasuar që harkimet nuk po shkojnë në vendin e duhur”, është dëgjuar duke i thënë Paqarada trajnerit të tij, shkruan gazeta e madhe gjermane, “Bild”.
Trajneri i kishte thënë atij që të shkonte në zhveshtore. Paqarada 28-vjeçar kishte refuzuar ta bënte një gjë të tillë. Madje, ai ishte mbështetur të njëra shtyllë e njërës portë.
Gjatë ditës së sotme, trajneri Fabian Hürzeler ka thënë se nuk ka probleme me Paqaradën përkundër kësaj zënke.
“Leart Paqarada dhe unë kemi punuar së bashku për një kohë të gjatë dhe shpesh kemi pasur një shkëmbim të ashpër fjalësh. Asnjë nga këto nuk është problem. Kjo tregon se intensiteti është i lartë. Ai është kapiten dhe pres që ai të udhëheqë rrugën në fushë”.