Një faull shumë i keq i Gabriel Paulista ndaj Vinicius i kushtoi kartonin e kuq mbrojtësit të Valencias gjatë ndeshjes së La Liga-s kundër Real Madridit.

Në minutën e 70-të, pra pak minuta pas golit të shënuar nga sulmuesi brazilian merengues, Paulista ishte protagonist i një ndërhyrjeje shumë të ashpër ndaj bashkatdhetarit të tij.

Një goditje e tmerrshme, e cila u sanksionua menjëherë me përjashtim nga ndeshja (karton të kuq). Vinicius u ngrit nga toka dhe reagoi me tërbim, duke protestuar ndaj kundërshtarit të tij.

Në fund të ndeshjes, trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, komentoi episodin: “Mendoj se ishte zhgënjimi për ndeshjen e humbur dhe për momentin negativ që po kalon skuadra. Kam luajtur futboll dhe e kuptoj. Ishte një episod vërtet i keq”.

Trajneri i Valencias, Voro: “Paulista e humbi mendjen. Kjo nuk mund të ndodhë më, unë do të flas me të.”