Franco Foda ka debutuar me sukses në krye të përfaqësueses së Kosovës në futboll. Të premten mbrëma në Jerevan, Kosova fitoi 1:0 miqësoren ndaj Armenisë.

Sfida u vendos në minutën e 25-të, kur Milot Rashica e dërgoi topin në portë nga afërsia. Në fakt Edon Zhegrova shpërtheu në krahun e djathtë. Topi u devijua, preku traversën dhe përfundoi te Rashica që shënoi golin e fitores.

Kosova ka bindur me paraqitje në pjesën e parë, duke krijuar raste të shumta. Janë shquar Zhegrova e Rashica, por edhe Vedat Muriqi. Sulmuesi i qendrës, Muriqi, ishte kapiten në këtë ndeshje. Kapiteni i parë, Amir Rrahmani, u la në stol. Armenia, që është disa pozita më lartë se Kosova në ranglistën e FIFA-s, ka rrezikuar seriozisht vetëm në fundin e pjesës së parë.