Sulmuesi i Malishevës, Drilon Hazrollaj është njëri nga emrat e ri të ftuar nga përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda.
Kosova ka zgjedhur në ditën e saj të pavarësisë, 17 shkurt, përzgjedhësin e ri, Franco Foda, i cili tashmë në muajin mars do ta drejtoj ekipin në ndeshjet e para.
Në listën e trajnerit gjerman nuk do të mungojnë emrat e ‘senatorëve’ dhe yjeve të ekipit, por do të ketë edhe risi.
Telegrafi mëson se njëri nga emrat e rinj të ftuar nga gjermani Foda është edhe sulmuesi anësor, Drilon Hazrollaj, pasi ftesa për të veçse ka mbërritur te klubi i Malishevës.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse 20-vjeçari do ta pranojë ftesën nga Përfaqësuesja e Kosovës pasi dihen problemet e tij në të kaluarën me trajnerin e Kosovës U-21, Afrim Tovërlani.
Ndryshe, Hazrollaj është lojtari i momentit në Superligën e Kosovës, pasi këtë sezon ka shkëlqyer duke shënuar 15 gola dhe 7 asistime në kampionat, teksa ka shtuar edhe tri gola dhe dy asistime tjera në Kupën e Kosovës.
Përveç, yllit malishevas, Telegrafi mëson se lojtarët tjerë të ftuar nga Superliga e Kosovës për ndeshjet e marsit janë edhe Lumbardh Dellova i Ballkanit dhe dyshja e Llapit, Muhamet Hyseni dhe Ilir Krasniqi.




























