Presidenti i Rapid Bukureshtit, Daniel Niculae ka konfirmuar interesimin e Benficas për sulmuesin Albion Rrahmani. Por ai ka thënë se për momenti nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë mes dy klubeve. Ai thekson se krahas Benficas dhe Aston Villas, interesim për Rrahmanin kanë shprehur edhe shumë skuadra tjera evropiane.
“Kam dëgjuar diçka për interesimin e Benficas. Pati afrime nga skuadra të tjera. E di që kanë pyetur për të , por nuk e di nëse interesimi është serioz. Ai është një lojtar interesant. Kam marrë shumë telefonata për të, por gjithçka do të varet nga situata”, ka thënë Niculae për sajtin portugez, “ojogo.pt”.
Rapidi pretendon ta shesë për 8 milionë euro Rrahmanin, të cilin e bleu vitin e kaluar nga Ballkani për 600 mijë euro.
Me fanellën e Rapidit, sulmuesi 23-vjeçar ka shënuar 15 gola dhe ka asistuar tri herë në 20 ndeshjet e edicionit aktual.