Futbollistet e Kosovës kanë nisur të martën grumbullimin e radhës.

Ekipin përfaqësues të Kosovës për herë të parë e udhëhoqi Sami Sermaxhaj, një ditë pasi u emërua selektor nga Federata e Futbollit e Kosovës. Në postin e selektorit e zëvendësoi suedezen Anneli Andersen.

Kosova të premten do të zhvillojë ndeshje testuese me Kosovën U19, ndëra muajin tjetër do të paraqitet në një ndërkombëtar në Egjipt.

“Do të punoj me përkushtimin më të madh që të jap më të mirën dhe të nxjerrim më të mirën prej vajzave që përfaqësojnë Kosovën. Federata ka një ftesë që të marrë pjesë në një turne në Egjipt, në një grup me Argjentinën, Brazilin dhe Egjiptin. Nuk do mend se tradita e futbollit flet për ta, por do të shkojmë atje t’i sfidojmë këto ekipe pa frikë. Ky turne do të na shërbejë që të krijojmë një grup sa më të mirë të futbollisteve për kualifikimet e ardhshme”, ka thënë Sermaxhaj për FFK-në.

Ndërkohë, futbollistet Erëleta Memeti dhe Lorita Islami theksuan se ky grumbullim do t’u shërbejë për të njohur punën, strategjinë dhe vizionin e lojës së trajnerit të ri.