Ashtu si pritej, tifozët serbë kanë bërë thirrje të shumta kundër Kosovës në ndeshjen e Ligës së Kombeve të Serbisë ndaj Zvicrës.
Të shtunën mbrëma në Leskovc, në praninë e 8000 shikuesve, Serbia fitoi 2:0 ndaj Zvicrës së Granit Xhakës. Xhaka kishte ndeshje stabile, por jo edhe lojtarët e tjerë të Zvicrës që e pësuan humbjen e tretë rresht në Ligën e Kombeve të UEFA-s.
Nico Elvedi shënoi autogol në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, pas një goditje dënimi të vendasve. Ndërkohë mbrojtja e Zvicrës reagoi shumë plogësht në minutën e 61-të, kur Aleksandar Mitroviq mori topin afër vijës anësore dhe shkoi deri në zonë për të shënuar për 2:0.
Breel Embolo i Zvicrës humbi penallti për Zvicrën. Goditjen e tij e ndali portieri i Serbisë. Andi Zeqiri luajti prej minutës së 70-të për Zvicrën.
Ka pasur fishëkllima të shumta të huliganëve serbë ndaj Xhakës. Ato nisën pa filluar ndeshje. Por me kalimin e kohës ishin gjithnjë e më të vogla. Ndërkohë thirrjet anti-Kosova ishin të vazhdueshme në pjesën e parë, ndërsa janë dëgjuar herë pas here në pjesën e dytë.
Zvicra është e fundit në Grupin A4, pa pikë. Serbia është e treta me katër pikë.
Ndeshjen tjetër të këtij grupi mes Spanjës e Danimarkës e fituan spanjollët, 1:0.