Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka dhënë një përgjigje të fortë ndaj kritikave dhe sugjerimeve se duhet të bënte rotacion me yllin e skuadrës, Vinicius Junior. Gjatë një deklarate për shtyp, italiani me përvojë u shpreh:

“Lexova që duhet të bëja rotacion me Vinicius… mirë, kam bërë 1,300 ndeshje, 1,300 formacione titullare dhe pothuajse 4,000 zëvendësime gjatë ndeshjeve. Prandaj mendoj se askush nuk mund të më tregojë se si duhet të menaxhoj lojtarët”.

Ky reagim vjen pas disa raportimeve në media që sugjeronin se Vinicius, i cili është një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit, duhet të pushojë për të shmangur dëmtimet apo lodhjen. Por Ancelotti, me një karrierë të gjatë e të suksesshme, duket se nuk pranon ndërhyrje nga askush në mënyrën e tij të punës.

Real Madridi vazhdon të luftojë në të gjitha frontet këtë sezon, me Vinicius që luan një rol kyç si lider në sulmin e skuadrës. Deklarata e Ancelottit vetëm sa e forcon besimin te metoda e tij e menaxhimit dhe përkushtimi ndaj suksesit të ekipit.