Premier League angleze vazhdon të shtunën me xhiron e 12-të, pas pushimit për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve.
Kryendeshja e kësaj fundjave në Angli vlerësohet ajo mes Manchester Cityt dhe Tottenhamit që luhet të shtunën nga ora 18:30.
Para pushimit dyjavor, City lejoi Liverpoolin të dalë në vendin e parë pasi i humbi dy ndeshje rresht në ligë dhe katër në të gjitha garat.
Liverpooli është i pari me 28 pikë, pesë më shumë se Manchester City i vendit të dytë.
Chelsea, Arsenali, Nottinghami dhe Brightoni kanë nga 19 pikë.
Përballja e së shtunës është përsëritje e asaj të “Carabao Cup” më 30 tetor, kur Tottenhami fitoi 2:1 dhe e eliminoi Cityn e Pep Guardiolës, që së fundmi vazhdoi kontratën deri në vitin 2027 me “qytetarët”.
Tottenhami është i dhjeti në tabelë me 16 pikë, aq sa ka edhe Brentfordi një pozitë më poshtë.
City ka tri fitore në dhjetë ndeshjet e fundit në Premier League me Tottenhamin, dy barazime dhe pesë disfata.
Liverpooli të dielën nga ora 15:00 luan në udhëtim te Southamptoni.
Leicester City – Chelsea që zhvillohet nga ora 13:30 të shtunën e hap këtë xhiro në Angli.
Arsenali po të shtunën nga ora 16:00 luan në shtëpi ndaj Nottinghamit, kurse Manchester Unitedi të dielën në orën 17:30 luan në udhëtim tek Ipswichi i Arijanet Muriqit, portierit të Kosovës.