Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka thënë se Islanda ka skuadër të mirë, por thotë se me formën e mirë që kanë lojtarët e Kosovës, avancimi në Ligën B është i mundur.
“Nuk kishim asnjë ndikim në shortin e tërhequr. Por tani jemi të lumtur për ndeshjen kundër Islandës. Unë personalisht nuk kam qenë kurrë në Islandë dhe Islanda ka një skuadër shumë të fortë, por edhe ne me Kombëtaren jemi në një formë shumë të mirë, në një gjendje shumë të mirë. Mendoj se shanset janë 50 me 50 dhe do të bëjmë gjithçka për të kaluar në Ligën B”, ka deklaruar përzgjedhësi Foda për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Kosova dhe Islanda do të ballafaqohen në plejofin për inkuadrim në Ligën B. Ndeshja e parë luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 20 mars të vitit të ardhshëm, ndërsa tri ditë më vonë, Islanda është nikoqire.