Kanë mbetur vetëm katër ditë nga sfida e parë e Kombëtares Shqiptare kundër Çekisë (16 nëntor, ora 20:45), e vlefshme për Ligën e Kombeve dhe kuqezinjtë vijojnë sipas programit stërvitjet dhe përgatitjet.
Dy lojtarët e Kombëtares, sulmuesi Indrit Tuci dhe mesfushori Ylber Ramadani treguan në konferencën për media se si po shkojnë përgatitjet e kuqezinjve, ndërsa nënvizuan se janë të fokusuar fillimisht te ndeshja e parë.
I grumbulluar për herë të dytë me Kombëtaren, Indrit Tuci vlerësoi çekët për lojën që bëjnë, ndërsa theksoi se kuqezinjtë po marrin masat e duhura për të dyja ndeshjet.
Sulmuesi tregoi se është në gjendje të mirë fizike, teksa tha se është gati për të dhënë maksimumin e tij nëse trajneri i beson minuta në ‘Air Albania’. Tuci nuk sheh rivalë në Kombëtare, ndërsa tha se kuqezinjtë luajnë për kombin shqiptar dhe shpreson të shënojë edhe gol te këto sfida.