Të premten në mesditë në Nyon të Zvicrës u tërhoq shorti për plejofin e Ligës B të Ligës së Kombeve.
Kosova do të luajë kundër Islandës në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Përderisa te Kosova ishin të pranishëm zyrtarët e Përfaqësueses së Kosovës, te Islanda mungoi selektori Age Hareide.
Ishte asistenti i tij, David Snorri Jonasson.
Kjo ka bërë që mediumet në Islandë të shkruajnë për një largim të mundshëm të Hareides dhe në mars, Islanda të udhëhiqet nga ndonjë selektor tjetër.
E ardhmja e tij ende është e paqartë. Kontrata e tij skadon pas një jave.
“Age ende ka kontratë, por njerëzit flasin për të dhe për ne. Duhet të ulemi dhe të bisedojmë në qetësi”, ka thënë Thorvaldur Orlygsson, kryetari i Federatës së Futbollit të Islandës, shkruan të premten mediumi islandez “Fotbolti.net”.
Sipas këtij mediumi, Arnar Gunnalaugsson dhe Freyr Alexandersson, janë kandidatët potencialë për zëvendësimin e Hareides.