Mesfushori i Real Madridit, Jude Bellingham, ka folur hapur për përvojat e tij pas Kampionatit Evropian dhe për rolin e tij aktual në klubin madrilen. Në një intervistë të fundit, ai shprehu ndjenjat e tij lidhur me kritikat pas Euro 2024 dhe përfshirjen e tij në ekipin e Real Madridit.

“Humba pak buzëqeshjen pas Europianit… Mendoj se u trajtova padrejtësisht në krahasim me atë që kontribuova,” tha Bellingham, duke theksuar se ndjehej si një “kokë turku” për dështimet e ekipit kombëtar. Megjithatë, ai theksoi se te Real Madridi ka gjetur mbështetje dhe nuk e ka humbur buzëqeshjen.

Duke folur për rolin e tij në ekip, Bellingham u shpreh: “E ndiej përsëri atë ndjesi, kështu që po synoj drejt saj.” Ai përmendi se pas largimit të Karim Benzema, ekipi ka punuar kolektivisht me lojtarë si Joselu dhe Brahim për të mbuluar mungesën. Me ardhjen e Kylian Mbappé, Bellingham shprehu entuziazmin për të luajtur me një nga më të mirët e gjeneratës së tij.

Këto deklarata vijnë në prag të ndeshjes së ardhshme të Real Madridit në Ligën e Kampionëve kundër Liverpoolit, ku Bellingham pritet të luajë një rol kyç.