Shqipëria mposhtet nga Ukraina, bie në Ligën C
Një pjesë e dytë e mirë nuk i ka mjaftuar Shqipërisë në ndeshjen ndaj Ukrainës.
Të martën mbrëma në “Air Albania”, kuqezinjtë u mposhtën 2:1 në ndeshjen e fundit të edicionit të katërt të Ligës së Kombeve.
Humbja bëri që Shqipëria të bie në Ligën C për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Shqipërisë i duhej fitorja për të shpresuar për vendin e parë në grup. Por fitorja ishte larg dhe humbja bëri që kuqezinjtë të mbesin të fundit në grupin B1 të Ligës së Kombeve.
Shqipëria i ka shtatë pikë, sa edhe Gjeorgjia. Pasi bilanci në ndeshjet e ndërsjella është i barabartë, renditjen e vendosi goldallimi i përgjithshëm, ku Gjeorgjia qëndron më mirë.
Shqipëria nisi shumë keq ndeshjen, ndonëse po luante para tifozëëve të saj. Që në minutën e pestë Oleksandr Zinchenko shënoi për epërsinë 1:0 të Ukrainës.
Ukrainasit shfrytëzuan një vendosje të gabuar në mbrojtjen e Shqipërisë dhe realizuan golin e hershëm. Nuk vonoi shumë dhe Thomas Strakosha e pësoi edhe golin e dytë. Sërish një mbrojtje e keqe kushtoi shtrenjtë në minutën e dhjetë, kur shënoi Roman Yaremchuk për 2:0.
Shqipëria në pjesën e parë nuk bëri asgjë. Në minutën e 45-të goditje të rrezikshme bëri Ernest Muçi dhe kjo ishte e tëra.
Pjesa e dytë ishte krejt ndryshe. Nedim Bajrami hyri në vend të Jasir Asanit, ndërsa Myrto Uzuni në vend të Mirlind Dakut. Në minutën e 51-të Ernest Muçi la fushën për shkak të lëndimit dhe në vend të tij hyri Arbër Hoxha.
Ndryshimet dolën të qëlluara.
Uzuni siguroi penallti, të cilën në gol e shndërroi Nedim Bajrami në minutën e 75-të.
Shqipëria vazhdoi me sulme dhe kishte edhe disa raste tjera shënimi. Por pa e dërguar topin në rrjedhë. Dhe kështu fitorja i takoi Ukrainës, që përfundon e dyta në grup me tetë pikë. Grupin e fitoi Çekia me 11 pikë, që avancon në Ligën A për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.
Shqipëria kthehet në lojë, Bajrami ngushton rezultatin
Shqipëria është kthyer në lojë në ndeshjen ndaj Ukrainës.
Rezultatin në 2:1 e ngushtoi Nedim Bajrami, me goditje nga pika e bardhë në minutën e 75-të. Penalltin e siguroi Myrto Uzuni.
Lojë shumë e zbehtë e kuqezinjve, Ukraina udhëheq 2:0 pas pjesës së parë
Shqipëria kishte paraqitje shumë të zbehtë në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Ukrainës. Kuqezinjtë nuk kanë rrezikuar asnjëherë portën kundërshtare, deri në minutën e 45-të, kur provoi Ernest Muçi. Ndërkohë Shqipëria i ka pranuar dy gola.
Oleksandr Zinchenko shënoi që në minutën e pestë, ndërsa menjëherë në minutën e dhjetë Roman Yaremchuk shënoi për 2:0.
Shqipëria pëson golin e dytë
Shqipëria e ka pësuar edhe golin e dytë në ndeshjen ndaj Ukrainës.
Roman Yaremchuk shënoi në minutën e 10-të, duke shfrytëzuar tjetër vendosje të gabueshme në mbrojtjen kuqezi.
Shokohet Shqipëria
Ukraina ka kaluar në epërsi të hershme ndaj Shqipërisë.
Oleksandr Zinchenko realizoi që në minutën e pestë për 1:0.
Ai shpalosi fanellën me numrin 1000, për të shënuar 1000 ditët prej se ka nisur pushtim rus i Ukrainës.
Ndeshja Shqipëri – Ukrainë nis me një minutë heshtje
Ndeshja Shqipëri – Ukrainë ka nisur me një minutë heshtje në nderim të 14-vjeçarit Martin Cani, që u vra të hënën në Tiranë.
Daku i prin sulmit të Shqipërisë
Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, e ka publikuar formacionin për ndeshjen ndaj Ukrainës. Në vend të Indrit Tucit, aktivizohet nga minuta e parë Mirlind Daku, derisa luan edhe Jasir Asani.
Në sulm nga minuta e parë është edhe Ernest Muçi.
Mesfusha nuk ka ndryshime nga hera e kaluar. Luajnë Kristjan Asllani, Ylber Ramadani e Qazim Laçi.
Po ashtu reperati defensiv mbetet i njëjtë. Ivan Balliu luan në të djathtë, Mario Mitaj në majtë, ndërsa Ardian Ismajli e Arlind Ajeti janë në qendër.
Thomas Strakosha në portë.
Ndeshja Shqipëri – Ukrainë zhvillohet nga ora 20:45 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë dhe i takon Grupit B1 të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Çekia është e para me tetë pikë, kurse nga një pikë më pak kanë Gjeorgjia dhe Shqipëria. Ukraina është e katërta me pesë pikë.
Fituesi i Grupit B1 do të paraqitet edicionin e ardhshëm në Ligën A të Ligës së Kombeve.
Në ndeshjen tjetër të Grupit përballen Çekia dhe Gjeorgjia. Edhe kjo ndeshje nis në ora 20:45.