Në kampanjën e kaluar, Manchester City dhe Arsenali ishin deri në fund në garën për titull të Anglisë.
Dy ekipet kanë ngecur pak me rezultate në fillim të këtij edicioni dhe këtë më së miri e ka shfrytëzuar Liverpooli në formë, i drejtuar nga trajneri Arne Slot.
Liverpooli prin në tabelë me 25 pikë, dy më shumë se Manchester City i vendit të dytë.
Arsenali ka mbetur prapa me 18 pikë në vendin e pestë, aq sa kanë edhe Chelsea në pozitën e katërt dhe Aston Villa në vendin e gjashtë.
Liverpooli të shtunën nga ora 21:00 takohet me Aston Villan.
City në të njëjtën ditë, nga ora 18:30, luan në udhëtim te Brightoni, kurse Arsenali e zhvillon superderbin me Chelsean të dielën nga ora 17:30.
Kjo ndeshje edhe e mbyll xhiron e 11-të të Premier Leagues.
Arsenalit pritet t’i kthehet kapiteni Martin Odegaard. “Revolveristët” kanë krijuar pak pa të, ndërsa i kanë humbur tri nga gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.
Kaq disfata, Arsenali në total i kishte në 32 ndeshjet e fundit.
Befasia e këtij edicioni, Nottingham Foresti, që zë vendin e tretë me 19 pikë, do të ballafaqohet me Newcastle Unitedin që ka 15 pikë në mesin e tabelës.
Nottingham – Newcastle luhet të dielën nga ora 15:00, në të njëjtin orar kur Manchester Unitedi ballafaqohet me Leicester Cityn.