Pavarësisht dhunës në drejtim të tifozëve izraelitë të futbollit në Amsterdam, Franca nuk ka plane që ta shtyjë ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër Izraelit në javën e ardhshme, ka thënë ministri i Brendshëm të premten, shkruan “Reuters”.
“Franca nuk tërhiqet sepse do të dorëzohej përballë kërcënimeve për dhunë”, ka shkruar ndër të tjera Ministri Bruno Retailleau në platformën “X”.
Për shkak të luftës në Gazë janë rritur tensionet edhe në Francë, që është shtëpia e komuniteteve më të mëdha të myslimanëve dhe hebrenjve.
Të enjten mbrëma Izraeli ka thënë se do të dërgojë dy aeroplanë për t’i kthyer në shtëpi tifozët izraelitë nga Holanda.
Në rrjetet sociale kanë qarkulluar video të sulmeve që janë bërë në drejtim të tifozëve të Maccabi Tel-Avivit, që kishin udhëtuar në Amsterdam për ta përkrahur ekipin në duelin ndaj Ajaxit.
Ajaxi fitoi thellë, 5:0, në ndeshjen e xhiros së katërt të Ligës së Evropës.
Franca takohet me Izraelin më 14 nëntor në ndeshjen që zhvillohet në “Stade de France”.
Po planifikohet që rreth 2 mijë zyrtarë policorë të jenë përreth stadiumit për të vendosur rend.