Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka rreshtuar kritika të shumta për futbollistët e Shqipërisë, pas dështimit në Ligën e Kombeve.
Shqipëria e nisi me fitore 2:1 ndaj Ukrainës edicionin e katërt të kësaj gare, ndërsa të martën në mbrëmje humbi me të njëjtin rezultat në “Air Albania” në Tiranë, po nga Ukraina.
“Kuqezinjtë” nga gjashtë ndeshje patën dy fitore, një barazim e tri disfata dhe mbetën në vendin e fundit me shtatë pikë dhe ra në Ligën C.
Shtatë pikë pati edhe Gjoergjia, por goldallim më të mirë.
Grupin B1 e fitoi Republika e Çekisë me 11 pikë, ndërsa Ukraina përfundoi e dyta me tetë pikë.
“E fillua mirë dhe e mbyllëm keq këtë garë të Nations League, humbëm ndeshjen kryesore, përcaktuesen, por nuk është se shkëlqyem në pjesën më të madhe të ndeshjeve. Realisht u mërzitëm, mbase dhe për faktin se krijuam shumë pritshmëri. Pasi të qetësohemi duhet ta analizojmë mirë këtë kompeticion”, ka nisur shkrimin e gjatë Duka të mërkurën në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.
Presidenti Duka ka vlerësuar kundërshtarët duke thënë se ishin cilësorë, por ka thënë se pas kampanjës së mirë në “Euro 2024” në Gjermani, Shqipëria do të duhej të bënte më shumë.
Shqipëria në verë përfundoi në vendin e fundit me një pikë në Grupin B të Kampionatit Evropian, prapa Spanjës që në fund e fitoi turneun, Italisë dhe Kroacisë.
Shqipëria pati dy humbje, nga Spanja e Italia, ndërsa barazoi me Kroacinë.
“Pavarësisht se nuk ishim aty ku meritojmë të jemi, përsëri kam bindjen, e jo vetëm unë, që kemi djem të shkëlqyer dhe një skuadër me shumë kualitet. Prezenca në Evropian na dha më shumë forcë e vetëbesim, por forca reale është vazhdimësia. Asnjë shteg vetëkënaqësie nuk duhet të na pengojë për të bërë shumë më mirë sesa në kualifikueset e Evropianit. Ndeshjet që mbyllëm janë objekt reflektimi e analize dhe le të shërbejnë për të gjithë si një pikë emergjente kthese, duke i parë gjërat me qetësi dhe aspak me emotivitet për të gjetur fajtorë e të pafajshëm!”, ka vazhduar tutje presidenti i FSHF-së.
Presidenti Duka ka shkruar se Shqipëria tani synon avancimin historik, në Kampionatin Botëror në SHBA, Kanada e Meksikë në vitin 2026.
Ai ka vlerësuar shumë edhe tifozët “kuqezi”.