FIFA ditën e sotme ka bërë publike edhe renditjen e skuadrave pas ndeshjeve të fundit në Ligën e Kombeve. Kombëtarja shqiptare fatkeqësisht mori vetëm 1 pikë në 2 ndeshjet e zhvilluara për këtë muaj, ku barazuan me Çekinë dhe humbën me Ukrainën.
Kjo ka bërë që kuqezinjtë të mos lëvizin nga pozicioni i tyre, teksa edhe pas sfidave të Ligës së Kombeve mbajmë vendin e 65 në renditjen e përgjithshme të FIFA-s. Ndërkohë përparim ka bërë Kosva.

“Dardanët” pas fitores me Lituaninë dhe humbjes në tavolinë me Rumaninë ngjiten me 2 pozicione. Një arritje e madhe për Kosovën që për herë të parë bëhet pjesë e “top-100” së më të mirave. Saktësisht Kosova mban vendin e 99 në klasifikim, duke lënë pas emra të rëndësishëm.
Ndërkohë nga ana tjetër vazhdon të kryesojë Argjentina, e cila ndiqet nga Franca, Spanja, Anglia dhe Brazili. “Top-10”-shja plotësohet nga Portugalia, Holanda, Belgjika, Italia dhe Gjermania.




























