Përfaqësuesja e Islandës në futboll ishte prej kundërshtareve të para të Kosovës në gara kualifikuese pas pranimit në UEFA dhe FIFA në vitin 2016.
Kosova me Islandën u përball dy herë në vitin 2017 në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”. Dhe në të dyja ndeshjet kualifikuese, që ishin të parat për Kosovën, pësoi dy disfata nga Islanda.
Krahas Islandës, “Dardanët” në të kaluarën janë përballur edhe me dy prej katër përfaqësueseve të mundshme në plejofin e Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Sllovenia e Gjeorgjia janë dy përfaqësueset e tjera me të cilat Kosova është përballur në gara të ndryshme. Vetëm me Irlandën, kundërshtaren tjetër të mundshme, Kosova nuk është përballur në të kaluarën. Shorti për tri plejofet e Ligës së Kombeve dhe për çerekfinale të Ligës A do të zhvillohet të premten nga ora 12:00 në Nyon të Zvicrës.
Në këtë plejof paraqiten katër përfaqësuese që ishin në vendin e tretë në grupet e Ligës B dhe katër përfaqësuese që u renditën në pozitën e dytë në grupet e Ligës C. Do të përballen përfaqësueset e Ligës B me ato të Ligës C, ndërsa përfaqësueset e Ligës B do të jenë vendëse në ndeshjen e dytë. Ndeshjet do të zhvillohen më 20 dhe 23 mars të vitit të ardhshëm.
Kosova përfundoi e dyta në grupin e dytë të Ligës C me 12 pikë. Rumania e fitoi grupin me 18 pikë dhe promovohet në Ligën B.
Sllovenia i mblodhi tetë pikë në grupin B3 ku ishin edhe Norvegjia, Austria dhe Kazakistani. Gjeorgjia mblodhi shtatë pikë, sa edhe Shqipëria, në grupin B1, ku e para u rendit Çekia dhe e dyta ishte Ukraina. Shqipëria ka rënë në Ligën C.
Islanda, po ashtu, i kishte shtatë pikë në Ligën B4, ku garoi me Uellsin, Turqinë e Malin e Zi. Irlanda mori gjashtë pikë ndaj Finlandës në grupin B2, derisa i humbi ndeshjet me Anglinë dhe Greqinë.
Nga Islanda, më 24 mars të vitit 2017, Kosova humbi në Shkodër me rezultatin 2:1, ndërsa më 9 tetor humbi në Reykjavik me shifrat 2:0. Kualifikimet e para të Kupës së Botës “Rusia 2018” u drejtuan nga Albert Bunjaki. Islanda u kualifikua në Botëror si e para e Grupit, ndërsa Kosova përfundoi e fundit me vetëm një pikë të fituar.
Dy ndeshjet i kishte humbur edhe nga Sllovenia në vitin 2020. Më 11 tetor humbi në Prishtinë me rezultatin 1:0, ndërsa më 15 nëntor pësoi disfatë 2:1. Të dyja ndeshjet i takuan Grupit C3 të Ligës së Kombeve. Kosova përfundoi e treta me pesë pikë. Sllovenia e pati fituar grupin me 14 pikë, ndërsa Greqia mbeti e dyta me 12 pikë. Atëbotë Kosovën e drejtoi trajneri zviceran Bernard Challandes.
Challandes ishte pjesë e Kosovës dhe në fitoren e vlerësuar historike në Batumi ndaj Gjeorgjisë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2022.
Ishte fitorja e parë kualifikuese e Kosovës për Kupën e Botës. Më 2 shtator të vitit 2021, Kosova pati fituar ndaj Gjeorgjisë në Batumi me rezultatin 1:0. Golin e fitores e kishte shënuar sulmuesi i parë i Kosovës, Vedat Muriqi. Ai pati shënuar gol në minutën e 18-të. Por një muaj më vonë, saktësisht më 12 tetor të atij viti, Gjeorgjia iu revanshua Kosovës. “Dardanët” pësuan disfatë me rezultatin 2:1 në Prishtinë. Ndeshjet ishin të vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2022.
Kosova vitin tjetër do ta ketë një tjetër cikël kualifikues për Kupë të Botës 2026. Shorti i kualifikimeve evropiane është më 13 dhjetor nga ora 12:00 në Zurich të Zvicrës.
Rezultatet e Kosovës me kundërshtarët e mundshëm të plejofit
Kosova – Islanda 1:2
Islanda – Kosova 2:0
Kosova – Sllovenia 0:1
Sllovenia – Kosova 2:1
Gjeorgjia – Kosova 0:1
Kosova – Gjeorgjia 1:2