Federata e Futbollit e Rumanisë tashmë po e përgatit dosjen për dy skenarët e mundshëm në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS). Kështu ka shkruar të hënën sajti i njohur rumun, GSP.
Rumania e fitoi 3:0 në tavolinë ndeshjen e ndërprerë me Kosovën. Pas këtij vendimi të Apelit të UEFA-s, ankesë në CAS ka paralajmëruar Federata e Futbollit e Kosovës e po ashtu Federata e Futbollit të Suedisë. Pas vendimit të Apelit të UEFA-s, Suedia nuk është përfaqësuesja më e ranguar në Ligën C dhe kjo mund të ketë ndikim në garën për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Rumania është dënuar me 128 mijë euro nga UEFA për veprimet e tifozëve të saj në ndeshjen e 15 nëntorit në Bukuresht. Ndeshja, sipas vendimit të UEFA-s është braktisur nga Kosova.
“Skenari i parë do të ishte nëse Kosova apelon vendimin për fitoren 3:0 të Rumanisë. Skenari i dytë për gjobën prej 128 mijë eurosh dhe një ndeshje pa shikues, pas reagimeve të tifozëve në ndeshjen e njëjtë”, shkruan GSP.
Në federatën rumune, sipas burimeve të këtij mediumi, janë duke e pritur vendimin e detajuar të UEFA-s. Materialin e plotë, rumunët nuk e kanë pranuar ende nga Konfederata Evropiane e Futbollit.
“Vetëm më pas do të caktohet strategjia më e mirë, për t’u mbrojtur në ankesën e Kosovës, apo për të kërkuar që dënimi për tifozët të reduktohet”, shkruan GSP.
Në Rumani ka pasur dyshime nëse federata do të mbrohet në CAS. Por në federatë janë arsyetuar se pa dosje të plotë të UEFA-s dhe pa e ditur nëse duhet të sulmojnë apo të mbrohen, nuk kanë mundur të fillojnë asgjë.
“Nëse Kosova shkon në CAS, FRF-ja do të mbrojë veten. Për federatën rumune është e qartë që ndeshja duhet të regjistrohej 3:0”.
Për gjobën, procedura mund të jetë më e vështirë. Reduktimi i gjobës përmes CAS-it është vështirë i arritshëm pasi gjërat për të cilat është dënuar Rumania, qëndrojnë. Ndonëse nuk kishte thirrje “Kosova është Serbi” apo të ngjajshme, ka pasur thirrje antihungareze dhe mjete piroteknike. Në fakt janë dëgjuar edhe thirrjet “Serbi, Serbi”.
Në federatën rumune presin të shohin dokumentacionin e kompletuar për të parë nëse gjobat janë në përputhje me rregulloret. Nëse ka elemente që lejojnë mbrojtje të suksesshme, dënimet do të sfidohen në CAS.
Nga FFK-ja nuk është njoftuar për ndonjë lëvizje lidhur me dërgimin e rastit në CAS. Vetëm është paralajmëruar ankesa, pasi UEFA i bëri publike vendimet, të mërkurën e kaluar.