Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është përballur tri herë me Rumaninë. Dhe të tri ndeshjet janë përcjellë me incidente.
Nuk përjashtohen të tjera incidente në ndeshjen e radhës në mes të Kosovës dhe Rumanisë.
Por te Kosova thonë se nëse ka pano apo thirrje “Kosova është Serbi”, do të kërkojnë nga delegati i ndeshjes të respektohet maksimalisht rregullorja e UEFA-s.
Drejtori i përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, thotë se do të veprojnë në bazë të rregullores së UEFA-s.
“Çfarëdo që ndodhë ne do të veprojmë në bazë të rregullores së UEFA-s. I besojmë delegatit të ndeshjes, nëse e zbaton rregulloren. Do të jemi shumë striktë në këtë drejtim”, ka thënë Sahiti të mërkurën për KOHËN.
Vitin e kaluar në Bukuresht ndeshja u ndërpre për 50 minuta, pasi tifozët rumunë shfaqën panon “Kosova është Serbi” dhe bënë thirrje të njëjta. Lojtarët e Kosovës reaguan dhe ndeshja u ndërpre deri në heqjen e panos provokuese.
UEFA nuk i toleron mesazhet politike e diskriminuese në ndeshje futbolli. Nuk toleron edhe shumë shkelje që bëhen në tribuna.
UEFA ka dënuar më herët Federatën e Futbollit të Rumanisë dhe atë të Kosovës për incidentet në tribuna në Prishtinë dhe Bukuresht.
UEFA po ashtu ka dënuar edhe shumë klube evropiane që kanë tifozë me qëndrime anti-Kosovë. Shpalosja e flamurit të Serbisë mbi hartën e Kosovës ndodh shpesh nga tifozë me qëndrime anti-Kosovë.
“Ne do të shkojmë në Bukuresht për të luajtur futboll, për ta dhënë maksimumin në aspektin sportiv dhe për ta fituar ndeshjen”, është shprehur Sahiti.
Nuk ka njoftim zyrtar nga “Dardanët” për praninë e tyre në Bukuresht. Është thënë se një grup i tyre do të jetë prezent, por qartë që nuk do të jetë e mbushur e gjithë pjesa e tribunës që u takon.
Në Rumani është raportuar se UEFA ka marrë të gjitha masat për ta monitoruar me kujdes se çfarë do të ndodhë në Bukuresht të premten mbrëma kur Rumania dhe Kosova të përballen në Ligën e Kombeve. Ndeshja nis në orën 20:45 dhe i takon Grupit C2 të Ligës së Kombeve.
Është bërë e ditur po ashtu se do të jetë një oficer special i sigurisë në “Arenën Kombëtare” të Bukureshtit.