Razvan Marin ishte prej më të mirëve te Rumania në fitoren 3:0 ndaj Kosovës në “Fadil Vokrri” më 6 shtator. Mesfushori 28-vjeçar shënoi gol dhe asistoi për Rumaninë. Marin ka shënuar gola në të gjitha ndeshjet e Rumanisë në këtë edicion të Ligës së Kombeve dhe pritet të jetë kërcënim i madh për përfaqësuesen e Kosovës të premten në Bukuresht.
Rumania e Kosova luajnë ndeshje vendimtare për vendin e parë në Grupin C2 të Ligës së Kombeve. Dhe Marin shpreson që ndeshja të kalojë pa telashe.
Në tri ndeshjet e kaluara mes Kosovës e Rumanisë ka pasur zhvillime jashtë fushës së blertë. Fillimisht huliganë rumunë bënë thirrje “Kosova është Serbi” në stadiumin në Prishtinë, vitin e kaluar. Më pas në Bukuresht, po ashtu vitin e kaluar, lojtarët e Kosovës kërcënuan me braktisje të ndeshjes pasi tifozët rumunë bënë thirrje “Kosova është Serbi” dhe shfaqën një baner me këtë thirrje. Ndeshja ishte ndërprerë për plot 50 minuta. Në ndeshjen e shtatorit u fishkëllye himni rumun nga shikuesit në “Fadil Vokrri”, ndërsa kishte qëndrime të qarta anti-Rumani. UEFA e dënoi FFK-në për incidentetet e shumta, ndërsa kishte dënuar edhe federatën rumune për ndeshjen e kaluar në Bukuresht.
“Të premten ndaj Kosovës shpresojmë se do të jenë 50 mijë njerëz në stadium. Jemi të lumtur që tifozët janë me ne. Shpresoj se do të jemi në gjendje t’i gëzojmë me rezultat pozitiv në fund. Shpresoj se nuk do të ketë probleme dhe se do të mund të luajmë në fushë”, ka thënë Marin nga kampi i përfaqësueses rumune.
Lojtarët rumunë tashmë kanë dërguar një mesazh publik për tifozët, duke kërkuar prej tyre që të përmbahen. Kanë thënë që hakmarrja më e mirë për “pritjen armiqësore” në Prishtinë do të jetë fitorja.
“Një mesazh i qartë tashmë është shpërndarë, që të jemi të qetë dhe mos të ketë probleme. Nuk mund të jetë revansh për ne, është më shumë për ata. Qartë se tifozët tanë do të fishkëllejnë gjatë himnit të tyre. Ne ende shpresojmë se nuk do ta bëjnë këtë, por le të shohim. Duam të fitojmë dhe të shfaqemi mirë si në ndeshjen në udhëtim. Ne mund të shkojmë në Kupën e Botës, kjo është ajo që duam”, ka shtuar Razvan Marin, që luan për Cagliarin në Serie A.
Rumania i ka katër fitore deri më tani. Kosova ka tri fitore e një humbje. I duhet fitorja me më shumë se tri gola dallim në Bukuresht për ta kaluar Rumaninë në renditje.
Edhe mbrojtësi Andrei Burca u ka bërë thirrje tifozëve që të evitojnë thirrjet apo incidentet që do të mund të sillnin ndërprerjen e ndeshjes.
Selektori legjendar i Rumanisë, Mircea Lucescu, përmes një videomesazhi kërkoi qetësi të tifozëve.
“Ne nuk kemi nevojë të krijojmë atmosferë armiqësore për kundërshtarët tanë. Të mos përgjigjemi ndaj sfidave që mund të jenë, të përpiqemi të qëndrojmë brenda kufijve të sportit dhe futbollit. Përkrahja duhet të jetë e tillë që lojtarët ta ndjejnë praninë e publikut”, ka thënë Lucescu për sajtin zyrtar të federatës rumune.