Ndeshja në mes të Spanjës dhe Zvicrës nuk ka vlerë të madhe në aspektin sportiv.
Pavarësisht rezultatit të ndeshjes së fundit të Gupit A4 të Ligës së Kombeve në mes të Spanjës dhe Zvicrës, nuk do të ketë ndryshime në renditje. Spanja e fiton grupin, kurse Zvicra në edicionin e ri të Ligës së Kombeve të UEFA-s do të paraqitet në Ligën B.
Megjithatë te përfaqësuesja “helvetike” e futbollit kanë thënë se do të mundohen ta tregojnë anën më të mirë të hënën mbrëma në Tenerife. Ndeshja në mes të Spanjës dhe Zvicës luhet nga ora 20:45.
Giorgio Contini, i cili u paraqit në konferencë për media, tha se ndeshja kundër Spanjës do të jetë mundësi e mirë për lojtarët që nuk kanë qenë zgjedhje e parë. Contini është ndihmës i përzgjedhësit, Murat Yakin, i cili nuk u paraqit në konferencë të dielën për shkak të gripit.
Contini ka insistuar se Zvicra ka nisur qysh tash punën për të krijuar një ekip konkurrent për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026.
“Ne nuk po mendojmë se kë duam të kursejmë, por për cilët kemi nevojë të paraqiten në fushë”, ka thënë Contini.
Contini nuk ka zbuluar se cilët lojtarë do të përdoren për ndeshjen kundër Spanjës. Por qartë se Yakin dhe stafi i tij do të detyrohen të bëjnë disa ndryshime.
Në mediumet në Zvicër shkruajnë se Andi Zeqiri dhe Albian Hajdari janë prej emrave që mund të paraqiten nga minuta e parë ndaj Spanjës.
Kapiteni Granit Xhaka është i padiskutueshëm, ndërsa mungon Ardon Jashari. Mbrojtësi Hajdari është në pritje të debutimit.
“Pavarësisht të gjitha ndryshimeve, rezultati pozitiv mbetet synimi jone”, ka theksuar Contini.
Fitorja e fundit e Zvicrës ndaj Spanjës ishte dy vjet më parë. Zvicra pati fituar 2:1 në Zaragoza.
Mbrojtësi i Zvicrës, Eray Comert, thotë se do ta japin maksimumin ndaj kampiones së Evropës.
“Spanja është kampione e Evropës dhe kjo i thotë të gjitha. Në ndeshjen e fundit kundër Danimarkës, disa lojtarë të Spanjës nuk luajtën. Do të jetë ndeshje e vështirë, por ne jemi të uritur. Ndaj kampiones së Evropës dëshirojmë ta tregojmë nivelin tonë”, ka thënë ai.
Comert ishte “fajtor” për penalltinë shumë të diskutueshme ndaj Serbisë.
“Nuk ishte penallti. Është turp që VAR-i nuk reagoi. Për mendimin tim, Mitroviq goditi këmbën time. Falënderoj Kobelin që priti penalltinë në mënyrë të shkëlqyer”, ka thënë Comert.
Ndeshja në mes të Spanjës dhe Zvicrës do të jetë e fundit para ndeshjeve kualifikuese për Botërorin 2026. Shorti do të tërhiqet më 13 dhjetor, ndërsa Zvicra është në vazon e parë.