Qëllimi kryesor i Bayer Leverkusenit është kualifikimi në një të tetën e finales në Ligën e Kampionëve. Kështu ka deklaruar trajneri i Leverkusenit, Xabi Alonso.
Leverkuseni të martën do të përballet me Interin nga ora 21:00, në kuadër të xhiros së gjashtë të “Championsit”.
Alonso në konferencë për shtyp të hënën ka theksuar se Interi është ekip i fortë dhe ka qëndrueshmëri në vitet e fundit në “Champions”.
“Qëllimi ynë është të kualifikohemi në një të tetën e finales. Ne duam të fitojmë çdo ndeshje, madje edhe nesër kundër një ekipi të fortë siç është Interi. Ky është fokusi ynë kryesor. Pritjet janë të mëdha nga ana jonë dhe shpresojmë se do të jemi gati. Interi është një ekip që ka qëndrueshmëri në vitet e fundit në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Alonso.
Leverkuseni ka dhjetë pikë dhe është në vendin e gjashtë.
Interi, Liverpooli dhe Atalanta janë skuadrat e vetme që nuk kanë pësuar disfatë këtë edicion në Ligën e Kampionëve.
Interi ka 13 pikë dhe është në vendin e dytë.