Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Amir Abrashi, e ka vazhduar edhe për një vit kontratën me Grasshopperin. Abrashi është kapiten i skuadrës elitare të Zvicrës.
Ai u kthye te Grasshopperi në vitin 2021. Për Grasshopperin luajti edhe nga viti 2010 deri në vitin 2015 para se të transferohej te Freiburgu në Bundesligë. Në total për ekipin zviceran ka luajtur 258 ndeshje.
“Grasshopperi do të thotë shumë për mua dhe jam krenar që vazhdoj të mbaj logon e klubit në gjoks. Do të bëj më të mirën dhe do të luftoj gjithmonë për klubin”, ka thënë Abrashi për faqen e klubit.
Lëvdata për Abrashin ka thurur edhe drejtori sportiv, Stephan Schwarz.
“Amiri nuk është një person i shkëlqyer vetëm në sport, por edhe për nga karakteri dhe është një figurë e rëndësishme identifikuese për Grasshopperin. Ai është një model dhe me përvojën dhe angazhimin e ti do të vazhdojë të jap shumë në sezonin e ardhshëm”, ka thënë Schwarz.
Në edicionin aktual në të gjitha garat, Abrashi për Grasshopperin ka luajtur 17 ndeshje.