Konkurrenca për vend në sulmin e Kosovës është e madhe. Vedat Muriqi është ende zgjedhja e parë për sulmin e “Dardanëve”, por tashmë kandidatë të fortë janë edhe Fisnik Asllani e Albion Rrahmani.
Derisa Rrahmani po e kalon një krizë që e pati te Sparta Praga, Asllani vazhdon të shkëlqejë në Bundesliga 2 të Gjermanisë.
Të dielën 22-vjeçari i realizoi dy gola në fitoren 3:0 të Elversbergut ndaj Braunschweigut. Të dy golat ishin të bukur dhe vendosën sfidën e xhiros së 16-të të kategorisë së dytë gjermane.
Me fitore Elversbergu doli në vendin e parë në tabelë. I ka 28 pikë, sa edhe Kolni e Paderborni.
Shumë prej pikëve Elversebergu i fitoi me golat e sulmuesit kosovar. Asllani tashmë i ka dhjetë gola e pesë asistime në 16 paraqitje në Bundesliga 2. Është golashënuesi i dytë më i mirë në ligë.
Ai e shpjegon formën e mirë me besimin që po e ndien.
“Besoj që më së shumti ndikon vetëbesimi që e kam momentalisht. Besimi që është duke më dhënë trajneri, stafi, ekipi në përgjithësi. Po ashtu lojtarët që më japin topa të mirë, më asistojnë mirë në mënyrë që të shënoj edhe unë gola. Prandaj besoj se këto dy gjëra ndikojnë më së shumti”, ka thënë Asllani të hënën për KOHËN.
Sulmuesi i lindur në Berlin tek Elversbergu është i huazuar deri në qershor të vitit të ardhshëm. Shtatlarti është lojtar i skuadrës së Bundesligës, Hoffenheim. Me Hoffenheimin ka kontratë deri në verën e vitit 2026.
Është zhvilluar si lojtar te Dynamo Berlini e më pas tek Union Berlini. Në vitin 2020 iu bashkua Hoffenheimit, kurse fillimisht luajti në ekipin e dytë. Edicionin e kaluar ishte i huazuar tek Austria Vjena. Në 16 paraqitje në kampionatin e Austrisë i kishte katër gola e një asistim.
Në edicionin 2022/2023 i zhvilloi tetë ndeshje në Bundesligë të Gjermanisë, ku synon të kthehet së shpejti. Gjithsej në Bundesligën gjermane i ka dhjetë ndeshje të luajtura.
Asllani aktualisht është i fokusuar tek Elversbergu dhe synon të vazhdojë me gola.
“Jam duke punuar shumë. Jam duke dhënë maksimumin në lojë dhe stërvitje. Prandaj edhe po jam në gjendje të shënoj gola në ndeshjet në ligë”, ka shtuar Asllani.
“Besoj që sistemi i lojës më përshtatet shumë. Jemi një ekip që luajmë futboll, me pasime të shkurtra dhe rrallë me topa të gjatë. Liria që më jep trajneri bën që të mos jem i detyruar të qëndroj vetëm para. Mund të luaj si të vlerësoj. Mund të kthehem në mesfushë dhe të shkoj në sulm. E kam lirinë e trajnerit dhe për këtë arsye po jam në gjendje të shpërblej besimin që po më jep ai”.
Ai luajti për U17 të Kosovës në vitin 2019. Më pas luajti për U18 e U20 të Gjermanisë, ndërsa këtë vit debutoi te Kosova A. Ndeshjen e parë e kishte ndaj Rumanisë, më 6 shtator në Prishtinë. Luajti 66 minuta në humbjen 3:0 nga Rumania.
Më pas kishte minuta në dy ndeshjet me Lituaninë, në ndeshjen në shtëpi ndaj Qipros dhe në ndeshjen në udhëtim ndaj Rumanisë.
Vitin e ardhshëm Kosova i luan kualifikimet për Botërorin 2026, ndërsa Asllani mund të jetë i rëndësishëm, nëse vazhdon të jetë efikas.
Kosova është në grup me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë. Grupi vlerësohet i fortë, por jo i pakalueshëm.
“Besoj që është një grup shumë i vështirë. Zvicra besoj që është favorite në grup. Kemi barazuar me Zvicrën dhe gjasat janë të mëdha. Do të japim maksimumin që të mund të kualifikohemi në Botëror”, ka theksuar Asllani.
Ndeshjen e parë të kualifikimeve për Botërorin 2026 Kosova e ka më 5 shtator në udhëtim ndaj Zvicrës.
Por fillimisht në mars i luan dy ndeshjet me Islandën, që i takojnë plejofit të Ligës së Kombeve.
Sa u takon kualifikimeve, shumë do të varet nga ndeshja në Zvicër.
“Besoj që kundërshtarja më e fortë e grupit është Zvicra. Zvicra vazhdimisht e kalon grupin në ngjarjet e mëdha dhe do të jetë kundërshtarja më e fortë. Por në të kaluarën kemi dëshmuar se mund të marrim pikë edhe ndaj Zvicrës, kështu që jemi gati”, thotë Fisnik Asllani.