Mesfushori i Shqipërisë, Kristjan Asllani, është shprehur i lumtur për golin nga korneri që e shënoi të enjten mbrëma në fitoren 2:0 të Interit ndaj Udineses. Me këtë fitore, Interi bëri vend në çerekfinale të Kupës së Italisë.

Goli nga korneri ndryshe njihet edhe si “gol olimpik”.

“Asnjëherë nuk kam shënuar gol olimpik. Ajo që vlen më së shumti është fitorja. Jemi të lumtur pasi po kemi vazhdimësi të rezultateve dhe po bëhemi gjithnjë e më të mirë”, ka thënë Asllani për mediat italiane.

Ai fitoi rastin nga fillimi dhe e shpërbleu me gol të rrallë.

“Gjëja e rëndësishme është grupi, që është fantastik. Ka lidhje të fortë mes lojtarëve. Shpesh dalim së bashku dhe kjo krijon lidhje që sjell edhe rezultatet. Më duhet të falënderojë Arnautoviqin për përkrahjen. Ai është prej atyre që vazhdimisht ndihmon të rinjtë dhe shumë i rëndësishëm për grupin”, ka shtuar Asllani.