Barcelona po konsiderohet një prej ekipeve favorite për të siguruar shërbimet e Jonathan Tah dhe negociatat e tyre për një marrëveshje të re me Ronald Araujon nuk do të konsiderohen si një pengesë për këtë. 

Uruguaiani ka kontratë me Barçën deri në 2026 dhe blaugranasit duan që ta sigurojnë atë me një kontratë të re para fundit të sezonit. 

Në rast se  nuk arrijnë ta bëjnë këtë, atëherë Barcelona me gjasë do të konsideronte mundësinë e shitjes së tij. 

Drejtori sportiv Deco e sheh Araujon si një prej opsioneve të tyre kryesore së bashku me Tah sezonin e ardhshëm, në rast se ata arrijnë ta përfundojnë marrëveshjen.

Reprezentuesi gjerman ka një vend në skuadër së bashku me Araujo, Pau Cubarsi dhe Inigo Martinez nëse gjithçka shkon sipas planeve të Decos. 

Në anën tjetër e njëjta nuk vlen edhe për Eric Garcia dhe Andreas Christensen, të cilët do të ftohen që të largohen në rast se arrihet gjuha e përbashkët me Tah dhe Araujo. 

Mediumi spanjoll Sport ka raportuar se një marrëveshje me Tah është ‘shumë afër’ dhe se ky transferim ka edhe mbështetjen e trajnerit Hansi Flick. 

Për Tah nuk është vetëm Barcelona e interesuar, pasi tashmë dihet që edhe klube si Bayern Munich dhe Real Madrid kanë qenë duke ndjekur me kujdes situatën e tij.