Epiteti i futbollistit më të mirë të javës së 18-të të Superligës së Kosovës në futboll i ka takuar mesfushorit të Dritës, Rron Broja.
Broja kontribuoi me gol dhe asistim në fitoren e Dritës 2:1 ndaj Feronikelit 74.
FFK-ja të hënën njoftoi se Brojës i takon çmimi “Ylli i Javës”.
“E kemi përgatitur ndeshjen shumë mirë, sepse dihet forma e lartë e Feronikelit 74 në ndeshjet e fundit dhe goli i parë që pranuam në minutat e para të ndeshjes na vështirësoi punën, sepse gjithmonë është më vështirë ta rikthesh rezultatin. Por treguam karakter të lartë, dhe e gjithë ekipi dha maksimumin, çka na u shpërblye me tri pikë të reja për skuadrën tonë. Falënderoj Federatën e Futbollit të Kosovës që më shpallën “Ylli i Javës”, bashkëlojtarët dhe stafin e klubit Drita, sepse pa ta nuk do të ishte e mundur”, ka thënë Broja për faqen zyrtare të FFK-së.