Kampioni në fuqi i Premier Leagues, Manchester City, do të bëj gara në Grupin G në Kupën e Botës për Klube në vitin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shorti i këtij turneu u tërhoq të enjten mbrëmje në Miami, në ceremoninë që zgjati më shumë se 90 minuta. Aty u publikua edhe trofeu i Kupës së Botës për Klube.

Në grup me fituesin në fuqi të kësaj gare për klube do të përballet me Juventusin, Wydad AC të Marokut dhe Al Ainin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Lionel Messi dhe skuadra e ligës MLS të SHBA-së, Inter Miami, janë në Grupin A dhe do të ballafaqohen me Al Ahlyn e Egjiptit në ndeshjen e parë të Kupës së Botës për Klube, që përfshinë 32 skuadra.

Më pas, Inter Miami do të luajë edhe ndaj Portos portugeze e Palmeirasit të Brazilit.

Në këtë turne janë pjesëmarrëse skuadrat elitare nga e gjithë bota.

Gara do të organizohet në 12 stadiume të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga 15 qershori deri më 13 korrik.

Do t’i paraprijë Kupës së Botës 2026 që organizohet nga SHBA-ja, Meksika dhe Kanadaja.

Manchester City është fitues në fuqi i Kupës së Botës për Klube në vitin 2023, me formatin e vjetër.

E mposhti skuadrën braziliane Fluminense për trofeun e parë.

City aktualisht zë vendin e katërt në Premier League. Ka pasur shumë telashe me lëndime të futbollistëve kryesorë, përfshirë edhe Rodrin, mesfushorin spanjoll që e fitoi “Topin e Artë”.

City, që ka fituar katër tituj të Premier Leagues rresht, do të ballafaqohet me skuadrën Ëydad AC në ndeshjen hapëse, më pas ballafaqohet me Al Ainin, para se ta mbyllë fazën grupore me duelin ndaj Juventusit.

Inter Miami zuri vend në këtë Botëror të klubeve si skuadra e parafundit, pasi e fitoi çmimin si skuadra më e mirë e stinorit të rregullt në ligën MLS. Më pas u eliminua në raundin e parë të plejofit, në muajin e kaluar.

Në grupet tjera, Paris Saint-Germaini do të jetë në Grupin B me Atletico Madridin, ndërsa Bayern Munichu në Grupin C takohet me Benfican.

Chelsea vlerësohet të ketë grup të lehtë në Grupin D, pasi takohet me Flamengon, Esperence Sportive de Tunisie e Club Leon.

Interi do të bëj gara me River Platen në Grupin E.

Borussia Dortmundi është në Grupin F me Fluminensen, që u paraqit në finalen e edicionit të kaluar.

Ndërkohë, Real Madridi në Grupin H do të jetë bashkë me Al Hilalin e Neymarit, Pachucan dhe Salzburgun.

Real Madridi është skuadra më e suksesshme e Kupës së Botës për Klube me pesë trofe të fituar.