Shqipëria do të jetë në Grupin K bashkë me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën, në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.

Pas shortit të tërhequr në Zurich të Zvicrës, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe selektori brazilian, Sylvinho, kanë thënë se grupi është shumë i vështirë.

“Nuk jam shumë i kënaqur me shortin, pasi mund të kishim fat më të mirë. Realisht ky ishte grupi që nuk doja. Anglinë nuk e doja, sepse është kundërshtar shumë i vështirë. Serbia është kundërshtar me problemet e veta. Nuk kemi eksperienca pozitive në përballjet me ta. Uroj që kësaj radhe të jetë ndryshe dhe të mendojmë vetëm për sportin. Nuk ishte short i mirë, por duhet të fillojmë të mendojmë për ndeshjet. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të luftojmë për një biletë në Botëror. Asgjë nuk është e pamundur”, ka deklaruar Duka pas shortit.

Ndërkohë, selektori Sylvinho që e udhëhoqi Shqipërinë drejt Evropianit 2024 në Gjermani, ka thënë se ëndërr e tyre është që të kualifikohen në Botëror pas dy vjetësh.

“E dinim që do të ishte e vështirë. Për ne çdo ndeshje do të jetë si finale. Kemi një ëndërr, duam të shkojmë para. Ndeshja me Serbinë është si gjitha të tjerat. E dimë historinë, por jemi profesionistë dhe mendojmë për futbollin. Ne duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë që të mund të kualifikohemi”, është shprehur tekniku brazilian.