Pep Guardiola nuk ka kaluar një moment si ky asnjëherë në karrierën si trajner. Skuadra që ai e drejton, Manchester City, ka humbur nëntë prej 12 ndeshjeve të fundit. Kaq humbje kishte në 106 ndeshjet e mëparshme.

Në fund të tetorit, City ishte ende skuadër e pamposhtur dhe në krye të Premier Leagues. Po ashtu ishte favorit për ta fituar titullin e pestë rresht. Tani Manchester City është në vendin e shtatë, 12 pikë prapa Liverpoolit dhe ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Ka qenë një humbje e jashtëzakonshme e shkëlqimit dhe ka lënë njerëzit të mendojnë se çka ndodhi. E po ashtu, nëse Guardiola mund të bëjë gjënë e duhur.

Por çka ndodhi në të vërtetë dhe si mund të zgjidhet kriza aktuale e Manchester Cityt?

Guardiola gjithnjë dyshon në vetvete

Guardiola po ashtu ka menduar shumë. Nuk ka fjetur mirë, ashtu si ka thënë, dhe nuk ishte vetvetja derisa fliste me mediat.

Ka folur me shumë njerëz për atë që po ndodh dhe derisa po angazhohet për të gjetur arsyen e rënies së madhe. Disa arsye ai i di, disa të tjera ende jo.

Ajo që njerëzit me gjasë nuk e dinë është se Guardiola dyshon shumë në vetveten dhe gjithnjë ka dyshuar.

Ai do të mendojë “se nuk do të jem në gjendje të dal nga kjo” dhe i duhet përkrahja e njerëzve të afërt për të larguar këto dyshime. Dhe ai e ka këtë përkrahje. Ai mbrohet nga njerëz që janë të vetëdijshëm, njëjtë si Pep, që ka shumë të tillë që dëshirojnë që City të dështojë.

Ishte kohë e vështirë për Guardiolan. Kujtoni shenjat në kokën e tij pas barazimit 3:3 me Feyenoordin në Ligën e Kampionëve.

Ai gjithmonë kruan kokën, është veprim nervozizmi. Normalisht nuk nbodh asgjë, por atë ditë njëri nga thonjtë e tij ishte shumë i mprehtë. Pasi foli me lojtarët në dhomën e zhveshjes, ku ai kruajti kokën si pjesë e gjesteve të tij të zakonshme pas shqetësimit, Guardiola doli në konferencë për shtyp.

Bashkëpunëtori më i afërt, Manel Estiarte, i dërgoi një foto në mesazh duke i thënë “çfarë ke në kokë?”. Por kur Guardiola u kthye në dhomën e trajnerëve, shenjat nuk ishin më.

Guardiola e filloi atë ditë me hundë të mbuluar, pasi e njëjta gjë i ndodhi në kompleksin stërvitor një ditë më parë. Guardiola po bënte debat futbolli me Kyle Walkerin për gjërat pozicionale dhe preku hundën e tij me thonin e njëjtë.

Kujtohet edhe konferenca e tij pas derbit të Manchesterit ku ai thotë: “Nuk e di çka të bëj”.

Kjo është pjesërisht e vërtetë dhe pjesërisht jo e vërtetë.

Duhet të injorohet fakti që Guardiola sugjeroi që “nuk është mjaftueshëm i mirë”. Ai në fakt mendoi se nuk është mjaftueshëm i mirë për të zgjidhur situatën me grupin e lojtarëve që kishte në dispozicion dhe gjitha vështirësitë e tjera.

Ka shpjegime logjike për krizën dhe njëri shpjegim që është përmendur shpesh është mungesa e Rodrit të lënduar.

Është e natyrshme që një ekip të varet shumë nga një lojtar që është më i miri në botë në pozitën e tij. Dhe nuk mund të llogarisësh pasojat e një lëndimi që e lë jashtë një lojtar si Rodri për gjithë edicionin. City është ekip, si shumica në futbollin modern, ku mesfushori defanziv është vendimtar.

Kështu që pa Rodrin është vështirë të mbahet ekipi i bashkuar. Kishte plane B me John Stones, Manuel Akanji e madje edhe me Nathan Ake. Por lëndimet goditën.

Lista e të lënduarve ishte vazhdimisht e gjatë, e ndërkohë orari ishte shumë i ngjeshur që e rëndoi edhe më shumë situatën.

Por një faktor që edhe Guardiola nuk e shpjegon dot janë gabimet e mëdha jotipike thuajse në secilën ndeshje nga lojtarët.

Pse Matheus Nunes bëri atë ndërhyrje dhe shkaktoi penallti ndaj Manchester Unitedit? Ka pasur gabime edhe nga lojtarët e tjerë, që në fakt janë prej më të mirëve në botë.

Natyrisht, mendësia e lojtarëve është e rëndësishme dhe besimi i lojtarëve po zvogëlohet. Merren vendime të gabuara dhe në vend të qetësisë ka panik. Rrjedhimisht ka lojtarë jashtë forme që duhet të luajnë për shkak të lëndimeve.

Walkeri nuk po shfaq atë që pritet, Kevin de Bruyne vështirë se do të kthehet në nivelin që e kishte, Bernardo Silva e Ilkay Gundogan nuk kanë kohë për të pushuar, Grealish nuk po luan në nivelin më të mirë. Disa prej këtyre lojarëve është planifikuar të luajnë vetëm një ndeshje në javë, por për shkak të lëdnimeve kanë luajtur 12 ndeshje në 40 ditë.

Për pasojë, Erling Haalandi nuk po shërbehet për të shënuar. Norvegjezi ende është golashënuesi më i mirë i Manchester Cityt me 13 gola. Mbrojtësi Joshko Gvardiol është i dyti në listë me katër.

Nga mënyra se si janë analizuar ndeshjet në kampin e Cityt, skuadra ka merituar të pësojë vetëm tri humbje, ndaj Liverpoolit, Bournemouthit dhe Aston Villas. Por natyrisht është koha për të ndryshuar dinamikën.

“Ndryshime të mëdha do të bëhen”

Guardiola asnjëherë nuk i ka mbrojtur lojtarët e tij tepër. Ai nuk i ka kritikuar ata dhe nuk do ta bëj këtë. Ata kanë fituar çdo gjë me të. Në vend se të bënte më shumë me lojtarët është munduar të bëjë më pak. Herë pas here u ka dhënë më shumë ditë të lira për të qetësuar kokën. Për shëmbull u dha dy ditë të lira këtë javë.

Ndoshta koha e duhur për të ndryshuar ekipin është kur ai fiton. Por askush nuk ka menduar se Manchester City do të kolapsojë kur ishte në majë dhe pa humbje në nëntë ndeshjet e para në ligë.

Disa njerëz kanë pyetur se sa keq duhet të bëhet gjendja para se City të marrë vendimin për Guardiolan. E vërteta është që nuk ka vendim për të marrë.

Ndoshta po të ishte Real Madridi, Barcelona apo Juventusi, presioni nga jashtë do të ishte i madh dhe do të diskutohej largimi i trajnerit, në këtë rast i Guardiolas. Në City ai ka fituar shumë, kështu që si mund të thotë dikush që ai po dështon?

Po, kjo është krizë. Marrë për bazë të gjitha vështirësitë, synim i ri i Cityt është të përfundojë në katërshen e parë të Premier Leagues. Kjo është në kokën e lojtarëve të Manchester Cityt.

Ideja është të rikuperohet thelbi, duke përmirësuar konceptet mbrojtëse që mungojnë dhe duke rivendosur intensitetin për të cilin njihet skuadra. Guardiola planifikon të shfrytëzojë dy vjetët e ardhshëm të kontratës, që pritet të jetë e fundit si trajner në klub, të përgatitur për Manchester Cityn e ri.

Kur ishte në fund të periudhës katërvjeçare te Barcelona, ai pyeti dy trajnerë me përvojë se çka të bënte kur të ndiente që lojtarët nuk po u përgjigjeshin kërkesave të tij. Se a duhet të shkojë trajneri apo lojtarët?

Sir Alex Ferguson dhe Rafael Benitez i thanë atij që lojtarët duhet të shkojnë.Guardiola nuk i dëgjoi ata për shkak të lidhjes emocionale me lojtarët atëbotë dhe vendosi të largohej nga “Camp Nou”, pasi ndjeu se cikli kishte përfunduar.

Ai ende i mbron lojtarët, por tani nuk ka lidhje emocionale si dikur. Kështu që do të jenë lojtarët që do të largohen këtë herë. Pritet që City të punojë për të zëvendësuar pesë apo gjashtë startues.

53-vjeçari e di që është fundi i një epoke dhe fillimi i një tjetre. Aktualisht Cityt më së shumti i duhet një mesfushor defanziv. Në verë City mund ta transferojë Martin Zubimendin nga Real Sociedadi për 60 milionë euro. Ai i tha jo Liverpoolit në verë, ndonëse marrëveshja ishte arritur. Por tani dëshiron të transferohet në Premier League.

Manchester City i ri është në ardhje, me ndryshimet e bëra nga Guardiola dhe departamenti i futbollit i klubit.