Derisa po festonte me bashkëlojtarët, Lindon Selahi bëri figurën e shqiponjës dykrenore. “Lindi, Lindi”, dëgjohej ndërkohë, duke thirrur me të madhe fotografi zyrtar i Rijekës.

Selahi vazhdoi edhe për pak çaste festën në përqafimin e bashkëlojtarëve dhe më pas u kthye nga fotografi zyrtar i klubit ku luan. Mori pozitën e “djaloshit të relaksuar”, derisa po pozonte për fotografin.

Për befasinë e 25-vjeçarit dhe gjithë të tjerëve te Rijeka, arbitri i ndeshjes e ndëshkoi me karton të verdhë.

Selahi të dielën e kaluar e shënoi golin e barazimit 2:2 të Rijekës ndaj Hajdukut. Ndeshja u zhvillua në stadiumin e zjarrtë të Hajdukut në Split, “Polud”, dhe goli i Selahit në minutën e 47-të ishte i fundit në këtë sfidë.

Mediat kroate kanë shkruar shumë për atë episod, festën e veçantë të mesfushorit shqiptar dhe kartonin e papritur të arbitrit. Për shkak të atij kartoni, Selahi nuk ka të drejtë loje në fundjavë, në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtor.

“Arbitri më ndëshkoi me pretekstin se kam provokuar tifozët e Hajdukut. Por, nuk ishte ashtu. Fotografi i klubit më thërriste me zë të lartë dhe në videon që e ka publikuar Rijeka shihet qartë se isha i kthyer kah ai. Pra, nuk është se kam provokuar tifozët e Hajdukut apo dikë tjetër. Por arbitri vendosi të më ndëshkonte”, ka thënë Selahi të premten për KOHËN.

Tifozët e zjarrtë të Hajdukut, “Torcida”, ishin prapa fotografit të Rijekës. Dhe arbitri ka menduar se Selahi u është drejtuar atyre.

Rijeka ka bërë ankesë zyrtare.

“Por që është refuzuar dhe për këtë arsye unë nuk kam të drejtë të luaj në fundjavë, në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtor. Është shumë keq, pasi askush nuk e di pse saktësisht jam ndëshkuar. Nuk kishte asnjë arsye. Për këtë edhe bëri bujë ai karton. Nuk ka medium në Kroaci që nuk ka shkruar për këtë”, ka thënë Selahi.

Ndeshja me Hajdukun mund të jetë e fundit për Selahin te Rijeka. Ai ka kontratë vetëm deri në verën e vitit të ardhshëm. Në verë mund të largohet pa dëmshpërblim, ndërsa nëse largohet në janar, Rijeka mund të përfitojë ndonjë dëmshpërblim.

Mediat kroate kanë shkruar se Selahi mund të transferohet te Dinamo. Por vetë futbollisti nuk jep shumë detaje.

“Së fundi kam luajtur mirë. Ndaj skuadrave të mëdha kroate jam paraqitur mirë. Sa i takon të ardhmes, mbetet te menaxheri Adrian Aliaj. Unë jam i fokusuar në fushë e tani nisin pushimet dhe dua të shkoj te familja dhe të shkëputem pak nga futbolli për disa ditë. E di që menaxheri është në kontakt me disa klube. Edhe vlerën e kam të mirë. Rijeka nuk më ka bërë ndonjë propozim. Mund të ndodhë që të largohem në janar. Kështu do të përfitonte klubi nga dëmshpërblimi. Unë preferoj që të fitojë edhe klubi. Po bëhen gati katër vjet që jam këtu dhe kam dëshirë që edhe klubi të përfitojë. Dua të ndahem mirë, Rijeka më ka ndihmuar shumë dhe do të ishte mirë që klubi të përfitonte financiarisht”, ka thënë Selahi.

Selahi është i lindur në Belgjikë.  Ka luajtur për Standard Liegen në Belgjikë dhe Twenten e Willem II në Holandë. Te Rijeka është prej korrikut të vitit 2021. Ka pasur periudha të vështira te kjo skuadër, por megjithatë ka vazhduar.

Rijeka është në pozitën e parë në kampionatin kroat dhe për këtë arsye goli i së dielës i Selahit ishte shumë i rëndësishëm. 

Selahi ka luajtur për U16 të Belgjikës. Më pas ishte te Shqipëria U17 e U21, ndërsa për Shqipërinë A i ka katër ndeshje.

“Ka një vit e gjysmë që nuk kam asnjë kontakt me selektorin apo federatën. Një kohë isha në listën rezervë e në ndeshjet e fundit as në listën rezervë. Nuk e di se çka po ndodh. Unë natyrisht jam shumë i interesuar të luaj me Kombëtaren. Është krenari dhe do të shkoja menjëherë. Të shohim se çka do të ndodhë”, ka thënë Selahi.

Nëse kalon te Dinamo, që edhe pritet, Selahit do t’i rriteshin gjasat për kthim në ekipin kombëtar të Shqipërisë.