Prishtina kishte ecuri prej tetë ndeshjeve në të gjitha garat pa pësuar disfatë.

Përfshirë edhe suksesin në Kupën e Kosovës, kishte tri fitore e katër barazime në këtë ecuri pozitive të rezultateve.
Por të dielën është befasuar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, pasi u mposht nga Feronikeli 74.
Skuadra nga Drenasi fitoi me rezultatin 1:0, dhe ishte vetëm fitorja e dytë e edicionit aktual në Superligën e Kosovës.
Feronikeli 74 ndërkohë e regjistroi edhe ndeshjen e katërt pa pësuar disfatë.
Fitoi ndaj Suharekës në ligë e ndaj Istogut në Kupë, ndërsa barazoi në xhiron e kaluar me Malishevën.
Golin e fitores ndaj “bardhekaltërve” në xhiron e 170-të, e shënoi greku Nikolaos Ioannidis.
Në minutën e 22-të, Hasan Hyseni goditi fillimisht. Topi u bllokua por mbeti në zonë, ndërsa Ioannidis ishte i saktë me gjuajtje për 1:0.
Në minutën e 72-të, Armend Gashit të vendësve iu anulua goli për 2:0.
Ndërkohë, Prishtina mendoi se fitoi penallti në minutën e 80-të.
Por njësoj si goli i anuluar, edhe penalltia u anulua pas rishikimit të situatës në VAR dhe rezultati më nuk ndryshoi.
Pas 17 ndeshjeve Prishtina mbetet në pozitën e katërt me 26 pikë, një më shumë se Suhareka e pesta.
Feronikeli 74 arrin pikët dyshifrore, por mbetet në pozitën e fundit.
Në vendin e dhjetë, Feronikeli 74 ka 10 pikë, shtatë më pak se Llapi e Ferizaj në vendin e tetë e të nëntë.