Me golin e Armend Thaqit në fundin e ndeshjes, Gjilani në fundjavë e fitoi derbin lokal ndaj Dritës në Superligën e Kosovës. 

Ndeshja i takoi xhiros së 17-të. 

Pas ndeshjes, lojtarët e Gjilanit bashkë me tifozët e skuadrës, kanë fyer në kor skuadrën rivale. 

Dhe për këtë, Komisioni Disiplinor dhe Etikës i shkallës së parë, e ka gjobitur Gjilanin me 800 euro. 

“Pas përfundimit të ndeshjes, tifozët e SC Gjilanit bashkë me futbollistët fyejnë në kor skuadrën mysafire FC Drita, sipas xhirimeve televizive në ndeshjen Gjilani – Drita. Bazuar në nenin 18 paragrafi 2 pika C të Rregullores disiplinore, Gjilani dënohet me shumë prej 800 euro. Afati i pagesës është tetë ditë kur vendimi bëhet i plotëfuqishëm”, ka shkruar Federata e Futbollit e Kosovës në vendimin e publikuar të enjten.