Egzon Gjuka dhe Salematou Camara janë shpallur hendbollistët më të mirë për vitin 2024.

Gjuka dhe Camara morën çmimet kryesore në ceremoninë “Laureatët e vitit 2024” në hendbollin kosovar, e cila u organizua të enjten nga Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK).

Ata morën numrin më të madh të votave të trajnerëve të skuadrave të Superligës së Kosovës në hendboll.

Hendbollisti Gjuka, i cili këtë çmim e ka fituar edhe më herët, e udhëhoqi Rahovecin drejt titullit të kampionit, të parit në histori. Pati paraqitje të mira edhe në vjeshtë, ndërsa tregoi cilësi edhe në skenën evropiane. Gjuka u shqua për paraqitje edhe të Kosovës.

“Kur puna, mundi dhe gjithë sakrifica e një viti të shpërblehet me votat e trajnerëve, sigurisht të bën të ndjehesh mirë. Por po ashtu është një obligim shtesë për mua të vazhdoj të punoj dhe ta ruaj përsëri këtë trofe. Është një shpërblim pas suksesit që e kemi arritur së bashku si ekip. Do të punoj edhe më shumë në të ardhmen që edhe në vitin 2025 të arrij sukses si individuale ashtu edhe me ekip. Uroj të mos kem ndonjë lëndim dhe të vazhdoj me paraqitje të mira. Shpresoj që me Kosovën të arrijmë ndonjë sukses historik”, ka thënë Gjuka.

Njësoj si Gjuka, edhe Carara pati sukseset e saj gjatë vitit. Camara u shpall më e mira për herë të parë, ndërsa ka udhëhequr Ferizajn drejt Kupës e Superkupës së Kosovës dhe drejt vendit të parë në stinorin vjeshtor.

Pos me organizim të lojës, hendbollistja nga Guineja shquhet edhe me gola të bukur dhe asistime për bashkëlojtaret.

“Jam shumë e lumtur për këtë arritje. Është e veçantë për mua të vlerësohem nga një shtet tjetër. Jam shumë e emocionuar, por njëkohësisht edhe krenare, pasi puna ime në fund është shpërblyer. Falënderoj bashkëlojtaret dhe presidentin. Uroj që të arrijmë së bashku edhe suksese tjera”, ka thënë Camara.

Në ceremoninë e së enjtes u ndanë edhe çmime të tjera. Shtatëshja më e mirë në konkurrencën e meshkujve përbëhej nga Arbër Curri, Lulzim Shabani, Jon Muqolli, Egzon Gjuka, Jeton Bislimi, Arbios Mushkolaj dhe Enis Kuleta.

Ndërkohë në konkurrencën e femrave shtatëshja më e mirë ishte: Blerta Ahmetxhekaj, Luljeta Sopjani, Orgesa Gola, Salemateu Camara, Fetane Uzunlar, Sevdanur Ozkan dhe Arlinda Dinarica.

Alma Nivokazi e Shqiponjës është golashënuesja më e mirë e vitit me 147 gola,  ndërsa Albi Gjuka i Prishtinës është golashënuesi më i mirë me plot 229 gola.

Bujar Ramosaj e fitoi epitetin e hendbollistit më të mirë të Përfaqësueses së Kosovës, ndërsa hendbollistja më e mirë u shpall Arlinda Hajdari.

Me vendim të Shoqatës së Trajnerëve të Hendbollit, trajner i vitit në konkurrencë të meshkujve u shpall Verim Zherka. Me Zherkën në krye të shtabit teknik, Rahoveci e fitoi titullin e kampionit, që është historik për këtë skuadër.

Trajneri më i mirë në konkurrencën e femrave është Faruk Shala. Ai e udhëhoqi Istogun drejt një titulli të ri të Kosovës. Istogu po ashtu e kaloi kundërshtarin e parë në gara evropiane.

Për suksesin e arritur në vitin 2024, klubi i hendbollit Rahoveci e mori edhe çmimin e klubit më të mirë te meshkujt, kurse KHF Istogu u shpall më i miri i vitit në konkurrencën e femrave.

Gjatë ceremonisë u ndanë edhe shumë çmime e mirënjohje të tjera. Me mirënjohje “Post mortem” u nderuan Izet Gjinovci dhe Shqipe Bajçinca-Brestovci. I ndjeri Gjinovci kontribuoi gjithë jetën për hendbollin. Kontribut të rëndësishëm për hendbollin dha edhe e ndjera Bajçinca – Brestovci.