Boksieri kosovar i kategorisë së rëndë, Granit Shala, më 14 dhjetor në Karlsruhe të Gjermanisë do të përballet me gjermanin e pamposhtur Daniel Dietz për titujt IBF International dhe IBO Inter-Continental.

Shala 28-vjeçar thotë se është i gatshëm për sfidën e radhës dhe se synon t’i fitojë dy titujt e të bëjë një hap para drejt meçeve për titujt kryesor në boks profesionist. 

“Kam pasur një përgatitje mjaft të mirë. Jam i gatshëm dhe jam optimist se do të ngadhënjejë”, ka thënë Shala për KOHËN. 

Ai i ka fituar 16 meçe në boksin profesionist (6 KO) dhe e ka humbur një.

Në prill të këtij viti luftoi për titullin e Evropës në versionin EBU, ku u ndal në raund të dytë nga ukrainasi Oleksandr Zakhozhyi. 

Dietz është i gjatë 204 centimetra, 12 centimetra më i gjatë se Shala. Ai i ka fituar 13 meçe të deritashme në boksin profesionist, prej tyre 12 me ndërprerje.