Futbollisti shqiptar, Brajan Gruda, ka luajtur deri në minutën e 59-të për Brightonin që fitoi një pikë në udhëtim kundër Aston Villas. Ndeshja e luajtur të hënën mbrëma përfundoi baras 2:2, ndërsa i takoi javës së 19-të të Premier Leagues së Anglisë.

Brightoni kaloi i pari në epërsi me golin e minutës së 12-të. Golin për 1:0 e shënoi Simon Adingra, kurse Ollie Watkins barazoi shifrat në 1:1 me gol të realizuar nga penalltia në minutën e 36-të.

Aston Villa kaloi më pas në epërsi 2:1 me golin e Morgan Rogers. Ai shënoi në minutën e 47-të. Por nëntë minuta pa përfunduar takimi, Tariq Lamptey ia siguroi një pikë Brightonit. Ai shënoi golin për 2:2, rezultat me të cilin edhe përfundoi ndeshja.