Mbrojtësi i Kosovës, Florent Hadërgjonaj, ka thënë se “Dardanët” janë në grupin më të fortë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Kosova përballet me Zvicrën, Suedinë e Slloveninë.

Hadërgjonaj është i rritur në Zvicër dhe ka folur pas shortit për Blick.

“E njohim njëri-tjetrin dhe jemi të pamposhtur ndaj Zvicrës”, ka thënë 30-vjeçari.

“Qartë është grupi më i fortë dhe më interesant në këto kualifikime. Suedia ka shumë kualitet në sulm. Sllovenia tregoi në Evropian se sa kompakte është si skuadër. Edhe Sllovenia ka lojtarë të mirë në aspektin individual”, ka shtuar Hadërgjonaj.

Hadërgjonaj ka theksuar se Kosova synon fitore ndaj Zvicrës.

“Stadiumi në Prishtinë, njëjtë si në Zvicër do të jetë i mbushur. Natyrisht do të jetë detyrë sfiduese për ne, por duam të arrijmë diçka historike. Mendojmë se kemi shanse të shkojmë në Kupën e Botës dhe definitivisht do të japim çdo gjë nga vetja”.