Lirim Qamili po e lë pas një vit të suksesshëm. Më të suksesshmin deri tani në karrierë. Edhe më shumë kërkon vitin e ardhshëm.
Sukseset i ka arritur falë punës së përkushtuar, të cilën synon ta vazhdojë. Sakrifica iu shpërblye me klubin e Sonderjyskes, që e siguroi mbijetesën edhe falë shtatë golave e tri asistimeve të 26-vjeçarit, që luan si sulmues, por edhe në krah.
Sonderjyske e përfundoi edicionin në Superligën e Danimarkës në vendin e dhjetë me 16 pikë, gjashtë më shumë se Lyngby që ra nga liga. Qamili luajti vetëm 14 ndeshje.
Në vitin e ardhshëm Sonderjyske mund të mos e ketë Qamilin në radhët e veta, pasi për të kanë shprehur interesim skuadra daneze të nivelit më të lartë.
Qamili tha për KOHËN të dielën se nuk do të ngutet për vendimin e ardhshëm.
“Futbolli është specifik, sepse duhet punë e vazhdueshme. Çdo ditë, në çdo stërvitje, kërkohet maksimumi, disiplina e madhe dhe regjimi i ushqimit, pushimit, jetës. Është program 24-orësh. Nëse ndonjëra nuk shkon si duhet, e gjithë puna bie poshtë. Unë kam punuar shumë”, thotë Qamili, i cili tregon se ka punuar edhe me trajner mental për t’u përballur me çdo situatë.
Qamili vjen nga një familje e lidhur me futbollin.
Ai e nisi karrierën në moshën pesëvjeçare tek IF Glostrup. Si 14-vjeçar kaloi te Frem Valby, në rrethinë të Kopenhagës.
“Në moshën 18-vjeçare më duhej të zgjidhja një skuadër me konkurrencë më të madhe që do të më ndihmonte të zhvillohesha. Zgjodha Hvidovren dhe nuk gabova, sepse fatmirësisht gjërat ecën shumë mirë”.
Në vitin 2020 ishte transferuar te Horsensi. U kthye te Hvidovre pas tre vjetësh, para se ta bënte hapin e qëlluar te Sonderjyske.
Sa ishte pjesë e Hvidovres në fillim të këtij viti, ai debutoi te Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut, me të cilën tashmë ka nëntë paraqitje e një gol të shënuar.
Ai tregon se ka pasur biseda me përzgjedhësin Blagoja Milevski, para se të grumbullohej. Dhe i është mirënjohës.
“Nuk e kisha ëndërruar një pritje të tillë te Maqedonia e Veriut. Është fantastike, sepse më ka ndryshuar në disa aspekte edhe si karakter. Unë jam tip i mbyllur, duke parë edhe karakterin e danezëve, por aty gjeta diçka ndryshe, pasi kapiteni Bardhi, Alioski, Musliu, Alimi e të tjerët, ma bënë të lehtë ambientimin në grup. U ndjeva komod. Jam i kënaqur edhe që shënova gol, edhe pse kam mundur të shënoj më shumë. Por e rëndësishme është që zumë vendin e parë dhe kaluam në Ligën B të Ligës së Kombeve”, thotë Qamili, që ka rritur numrin e shqiptarëve te Maqedonia e Veriut.
Qamili golin e shënoi në fitoren 3:0 ndaj Letonisë.
Synon të tjerë gola e suksese në nivel klubesh e përfaqësuesesh.
“Ecuria e mirë te Hvidovre dhe te Përfaqësuesja e Maqedonisë më sollën më shumë oferta dhe përfundova te Sonderjyske, ku kam zhvilluar një sezon shumë pozitiv në aspektin personal. Planet afatshkurta lidhen me klubin aktual me të cilin synoj të paraqitem sa më mirë edhe në vitin tjetër në elitën daneze. Pastaj uroj të kem shëndet, e pse jo ta provoj veten në një kampionat më të fortë evropian”, thotë Qamili.
Bashkëlojtarë të Qamilit te Sonderjyske janë Sefer Emini dhe Olti Hyseni.