Pas një barazimi e tri disfatave të njëpasnjëshme, Ipswichi i portierit të Kosovës, Arijanet Muriq, ka fituar të shtunën në ndeshjen e xhiros së 16-të të Premier Leagues, me gol të minutave shtesë.

Ipswichi fitoi në udhëtim te Wolverhamptoni, 2:1.

Skuadra e portierit Muriq kaloi në epërsi në minutën e 15-të, pas autogolit të Matt Dohertyt.

Matheus Cunha realizoi në minutën e 72-të në portën e Muriqit, ndërsa golin e fitores mysafirët e shënuan në minutën e 94-t me mesfushorin Jack Taylor.

Muriq u vlerësua pas ndeshjes prej më të mirëve.

Ipswichi tani ka 12 pikë në vendin e 18-të, ndërsa Wolverhamptoni, një pozitë më poshtë, përkatësisht të parafundit në tabelë, ka nëntë pikë.