Trajneri Gennaro Gattuso e ka përjashtuar Leon Dajakun dhe Yassine Benrahoun nga skuadra e Hajdukut të Splitit. Mediat kroate të mërkurën kanë shkruar për një gjë të tillë, ndërsa sipas tyre, ata duhet të kërkojnë skuadra të reja në afatin kalimtar dimëror.
“Index.hr” ka shkruar se Gattuso është i pakënaqur me paraqitjet e tyre.
Rreth situatës së Dajakut dhe Benrahout, tekniku italian pritet të flas të premten në konferencën për shtyp, para ndeshjes ndaj Shibenikut që luhet të dielën.
Kjo dyshe nuk ishte pëlqyer nga Gattuso edhe në verë, por vendosi t’u jap shans të dytë në fund të muajit gusht. Dajaku është përballur me shumë lëndime së fundmi.
23-vjeçari ishte transferuar me shumë bujë për shkak të kaluarës së tij. Dajaku ishte edhe pjesë e të rinjve të Bayern Munichut, para se të luante te Sunderlandi në Angli.
Nga Sunderlandi në verën e vitit të kaluar, Dajaku u transferua si futbollist i lirë. Në edicionin aktual pas 12 ndeshjeve të luajtura, e ka vetëm një asistim.