Meriton Korenica e ka mbyllur në mënyrën më të mirë vitin 2024. Por për vitin e ardhshëm ka synime edhe më të mëdha me skuadrën rumune, Cluj. Ai shpreson ta ndihmojë skuadrën të fitojë trofe.
“Cluji gjithmonë pretendon trofe. Titulli dhe Kupa janë gjithmonë garat që Cluji synon t’i fitojë. Është klub i madh në Rumani dhe kërkon maksimumin në çdo ndeshje. Në fushë hyjmë gjithnjë për fitore”, ka thënë Korenica të dielën mbrëma për KOHËN.
Ai më herët të dielën shënoi një gol dhe asistoi në fitoren 3:2 të Clujit ndaj Otelulit. Ndeshja i takoi xhiros së 21-të të Superligës së Rumanisë në futboll. Ishte xhiroja e fundit për këtë vit, ashtu si edhe në shumë liga të tjera evropiane.
Korenica është i kënaqur me formën që ka kaluar, sidomos në ndeshjet e fundit.
“Forma po vazhdon të jetë e mirë si në aspektin personal ashtu edhe ekipor. Përkushtimi maksimal në punë besoj që bë që edhe forma të vijë. Duke e dhënë maksimumin në çdo ndeshje më ka ndihmuar të kthej formën e mirë”, është shprehur Korenica.
28-vjeçari ka shënuar tre gola dhe ka po aq asistime këtë edicion.
Dy gola i ka në kualifikimet e Ligës së Konferencës dhe një gol në ndeshjet për Kupë të Rumanisë.
Lojtari nga Rahoveci shpreson të vazhdojë me formë të mirë edhe në stinorin pranveror.
“Shpresoj që kjo formë e mirë të vazhdoj edhe më shumë në stinorin tjetër”, ka theksuar ai.
Korenica iu bashkua Clujit gjatë verës nga skuadra turke Manisaspor. Ai më herët ka luajtur edhe për Ballkanin, Prishtinën, Lirinë, Rahovecin, Shkëndijën e Tetovës e Metalurgun e Shkupit.
Pesë ndeshje nga viti 2023 i ka edhe me Kosovën. Shpreson të përfshihet në ekipin e “Dardanëve” edhe gjatë vitit 2025.
“Shpresoj të ftohem sërish te Kosova, por është trajneri që bën zgjedhjet. Unë gjithmonë do të jem i gatshëm për vendin tim”, ka thënë Korenica.
Kampionati rumun vazhdon në janar. Më 19 janar, Cluji luan në udhëtim ndeshjen e javës së 22-të.
Në Rumani me shumë sukses po paraqiten edhe disa futbollistë shqiptarë. Më herët në Rumani me shumë sukses janë paraqitur edhe Albion Rrahmani dhe Ermal Krasniqi. Të dy lojtarët nga kampionati rumun kaluan gjatë verës në Çeki, përkatësisht te skuadra e Sparta Pragës.