Të premten futbollistet e Kosovës e shënuan fitoren më të thellë deri më tani. Në “Fadil Vokrri” e mposhtën Estoninë me rezultatin 8:0.
Me Estoninë, Kosova luajti edhe të hënën. Sërish ndeshja u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Duket pak e besueshme, bazuar në rezultatin e ndeshjes së parë, por të hënën fitore shënoi Estonia.
Miqësorja e dytë mes dy përfaqësueseve përfundoi 2:1 për Estoninë.
Vlada Kubassova shënoi për 1:0 në të mirë të Estonisë në minutën e 23-të. Në minutën e 35-të për 2:0 realizoi Kristina Teern.
Me rezultatin 2:0 në të mirë të Estonisë përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë lojtaret e Kosovës kërkuan barazimin. Rreshtuan sulmet, por pa shumë efikasitet. Në minutën e 84-t, Kosova fitoi penallti por që nuk u konkretizua. Topi i goditur nga Modesta Uka përfundoi në shtyllë.
Tjetër penallti Kosova fitoi në minutat shtesë. Donjeta Halilaj ishte e saktë në minutën e 92-të për rezultatin final, 2:1 në të mirë të Estonisë.
Këto ishin ndeshjet e para ndërkombëtare të Sami Sermaxhajt si selektor i Kosovës. Në ndeshjen e parë ai mund të ketë marrë sinjale të duhura. Por të hënën ka kuptuar se Kosovën e pret ende rrugë e gjatë drejt nivelit serioz ndërkombëtar.