Boksieri Florian Marku është liruar nga burgu në Gjermani, ku u arrestua pak ditë më parë për shkak të një dënimi të pakryer në Greqi, kanë raportuar mediat në Shqipëri të shtunën.
Greqia ka kërkuar ekstradimin e Markut për një rast të shumë viteve më parë.
Marku do ta presë vendimin për ekstradim në gjendje të lirë. Ai nuk mund të largohet nga Gjermania pa vendosur Gjykata nëse do ta ekstradojë në Greqi.
32-vjeçari ishte duke udhëtuar nga Anglia drejt Gjermanisë para disa ditësh, teksa në hyrje të kufirit i është bërë me dije se ka urdhërarrest nga shteti grek.
Çështja ka të bëjë kur Marku ishte 18-vjeçar. Në atë kohë, për shkak të një sherri në Selanik, ai ishte arrestuar me akuzat e plagosjes dhe armëmbajtjes pa leje. Më pas boksieri është dënuar me shtatë vjet burgim, por ka kryer vetëm 1 vit e gjysmë.
Palës mbrojtëse i është thënë se Florian Marku duhet të kryejë pjesën e mbetur të dënimit dhe vetë boksieri e ka pranuar. Siç raportojnë mediat në Shqipëri, 32-vjeçari duhet të kryejë edhe gjashtë muaj burg për ta mbyllur çështjen.