Klubi i futbollit Llapi e ka bojkotuar ceremoninë e shpalljes së më të mirëve të vitit nga Federata e Futbollit e Kosovës. Ceremonia është duke u mbajtur aktualisht, ndërsa te Llapi thonë se nuk ekzistojnë kushtet e duhura.
Llapi përmes një komunikate ka shkruar se ka tendenca për ta dëmtuar.
“Për shkak të zhvillimeve dhe tendencave që dëmtojnë KF Llapin, kryesia e klubit ka vendosur të bojkotojë ceremoninë ‘Laureatët e Vitit 2024’. Ne besojmë se momentalisht nuk ekzistojnë kushtet e duhura për të qenë pjesë e aktiviteteve të organizuara nga Federata e Futbollit e Kosovës, për shkak të situatës aktuale në futbollin kosovar. Bojkoti ynë ndaj FFK-së do të vazhdojë deri në momentin kur ky institucion të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e situatës dhe funksionimit të futbollit në vendin tonë”, shkruan në njoftimin e Llapit.
Llapi të premten barazoi pa gola me Dukagjinin. Ishte ndeshja e 11-të rresht kampionale pa fitore për skuadrën e Tahir Batatinës.
Deri më tani Llapi ka pasur raporte të mira me FFK-në.